Shqiptarët, 11 miliardë euro kursime në banka

4
Tamarama House

Kursimet e shqiptarëve në banka kanë arritur nivele rekord në fund të dhjetorit në mbi 1.27 trilionë lekë apo rreth 11 miliardë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Me gjithë situatën e vështirë ekonomike si pasojë e krizës së çmimeve, depozitat bankare shënuan një rritje në vlerë me mbi 61 miliardë lekë, apo më shumë se 525 milionë euro para të kyçura në banka.

Rritja e kursimeve këtë periudhë është udhëhequr nga depozitat në valutë që kanë parë një zgjerim të konsiderueshëm duke u ngjitur në fund të dhjetorit të shkuar në 725 miliardë lekë.

E kundërta ka ndodhur me kursimet në lekë që shënuan një tkurrje përgjatë 12 mujorit të kaluar duke zbritur në 551 miliardë lekë, nga 552.2 miliardë lekë që ishin në vitin 2021.

Thuajse të gjitha qarqet e vendit kanë parë një rritje të nivelit të depozitave bankare vitin që lamë pas. Listën e kryeson Tirana me nivelin më të lartë të kursimeve të mbyllura në banka dhe vitin e kaluar depozitat u zgjeruan ndjeshëm. Pas saj, renditen Durrësi, Vlora dhe Elbasani.