INSTAT: Volumi i mallrave të importuara, 3.4 milionë tonë gjatë 7-mujorit

1

Volumi i mallrave të importuara përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti llogaritet 3.44 6 010 tonë.

Referuar të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përgjatë kësaj periudhe u importuan rreth 410 mijë tonë mallra më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2022 u importuan 3 027 667 tonë mallra.

Pavarësisht rritjes në sasi, për shkak të kursit të këmbimit vlera e mallrave të importuar rezulton më e ulët krahasuar me vitin 2022.

Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar nga INSTAT, importet e mallrave gjatë periudhës janar-korrik arritën vlerën 509 miliardë lekë, duke u ulur me 3.5 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.8 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 1.3 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me 0.6 pikë përqindje, etj.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.1 pikë përqindje, “produkte kimike dhe plastike” me 0.1 pikë përqindje, etj.

/ata.gov.al