IPARD II, serrë e re në Fier për prodhim cilësor dhe me standarde

2

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes programit IPARD II, me fonde të BE dhe bashkëfinancim me qeverinë shqiptare, ka mbështetur me grante fermerët në sektorin e kultivimit të fruta-perimeve në serra.

AZHBR solli sot shembullin e Bio Green shpk, në fshatin Marinëz, Fier, një kompani e specializuar për kultivimin e perimeve në serra.

Në sajë të financimit nga programi IPARD II është investuar në ndërtimin e një serre të re moderne, si edhe në përmirësimin e dy prej serrave ekzistuese për të pasur prodhim cilësor dhe me standarde.

Përmes investimeve të tilla, të bashkëfinancuara nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare, janë krijuar standarde të reja në prodhim, me qëllim prezencën e produkteve tona, jo vetëm në tregun vendas, por edhe atë të jashtëm.

AZHBR, në tre thirrje të programit IPARD II, ka mbështetur kultivimin e perimeve në serra për një sipërfaqe kultivimi 66 ha në total.

Përmes këtyre projekteve është investuar në teknologji të reja të kultivimit, në serrat hidroponike, serrat e modelit izraelit, serrat moderne me ngrohje, si edhe serrat diellore.

Qëllimi i investimeve është që përmes risive dhe teknologjive të aplikuara të sigurohet rritje e rendimentit të prodhimit, dhe të arrihen standardet e cilësisë, për të pasur produkte konkurruese brenda dhe jashtë vendit gjatë gjithë vitit.

/ata.gov.al