Ja 10 aftësi të cilat janë të nevojshme për të ardhmen e punës

107

Në pesë vite, duke nisur nga tani, më shumë se një e treta e aftësive që mendojmë se do të jenë të rëndësishme për forcën e punës sot do të ndryshojnë – sipas raportit Future of Jobs Report të World Economic Forum.

Zhvillimet e vrullshme teknologjike do të thonë se pjesa më e madhe prej nesh shumë shpejt do ta ndajë vendin e punës me Inteligjencën Artificiale dhe robotët. Por si mund të qëndroni në linjë? Ju duhet t’ia nisni duke mësuar vazhdimisht në mënyrë që të fitoni aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në vendin e punës.

Më poshtë janë dhjetë aftësitë e nevojshme për të ardhmen e punës

1- Krijimtari

Në të ardhmen, njerëzit duhet të jenë krijues në mënyrë që të kuptojnë plotësisht përfitimet e gjithë gjërave të reja për të ardhmen – produkte të reja, mënyra të të punuarit dhe teknologjitë. Aktualisht, robotët nuk mund të konkurrojnë me njerëzit sa i përket krijimtarisë. Vendi i ardhshëm e punës do të kërkojë mënyra të reja të të menduari, dhe krijimtaria njerëzore është çelësi i gjithçkaje.

2- Inteligjencë emocionale

Aftësia e një personi për të qenë i ndërgjegjshëm, për të kontrolluar dhe për të shprehur emocionet si dhe për të qenë i vetëdijshëm për emocionet e të tjerëve nënkupton inteligjencën e tyre emocionale. Ju shfaqni një inteligjencë të lartë emocionale nëse keni ndjeshmëri, integritet dhe punoni mirë me të tjerët. Një robot nuk mund ta zëvendësojë lehtësisht aftësinë e një njeriu për të krijuar lidhje me një qenie tjetër njerëzore, pra ata që do të kenë një inteligjencë të lartë emocionale do të jenë mjaft të kërkuar.

3- Mendim analitik (kritik)

Një person me aftësi të menduari kritik mund të sugjerojë zgjidhje dhe ide inovative, të zgjidhë probleme të ndërlikuara, duke përdorur arsyen dhe logjikën dhe të vlerësojë argumentet. Hapi i parë i mendimit kritik është analizimi i fluksit të informacionit që vjen nga burime të ndryshme. Pas vëzhgimit, ai që zotëron një mendim të mprehtë kritik do t’i drejtohet arsyetimit logjik më shumë se sa emocionit, do të analizojë argumentet pro dhe kundër në një situatë dhe do të jetë i hapur ndaj zgjidhjes më të mirë të mundshme. Njerëzit me një mendim të mprehtë analitik do të jenë të nevojshëm në të ardhmen e punës njeri / robot.

4- Mësimi i vazhdueshëm me një vizion në zhvillim

Çdokush në të ardhmen duhet të mësojë dhe të rritet vazhdimisht. Njerëzit me një vizion në zhvillim kuptojnë se aftësitë dhe inteligjenca e tyre mund të evoluojnë. Ata e dinë se përpjekja e tyre për të mësuar aftësi të reja do të përkthehet në rezultate më të mira. Për këtë arsye do të përballen me sfida, do të mësojnë prej gabimeve dhe do të përpiqen në mënyrë të vazhdueshme të mësojnë njohuri të reja.

5- Gjykimi dhe vendimmarrja

Procesi i vendimmarrjes do të bëhet më kompleks në të ardhmen në vendin e punës. Ndërkohë që makineritë mund të përpunojnë informacione dhe të sigurojnë njohuri që për njerëzit do të ishte e pamundur që t’i mblidhnin, në një analizë të fundit, njerëzve do t’u duhet të marrin vendime, duke njohur ndërlikimet më të mëdha që mund të kenë ato në fusha të tjera të biznesit, personelit dhe ndikimin te ndjeshmëritë njerëzore, si për shembull morali. Pra njerëzve do t’u duhet të marrin vendime të një niveli të lartë.

6- Aftësi të komunikimit ndërpersonal

Aftësia për të shkëmbyer informacione mes personave do të jetë e rëndësishme gjatë Revolucionit të Katërt Industrial. Kjo do të thotë që njerëzit duhet të përmirësojnë aftësitë për të komunikuar në mënyrë efektive me të tjerët, që të thonë gjërat e duhura, duke përdorur intonacionin e duhur të zërit dhe gjuhën e trupit, që të përcjellin mesazhet e tyre.

7- Aftësi në udhëheqje

Karakteristika si të jesh burim frymëzimi, të ndihmosh të tjerët, të bëhesh versioni më i mirë i vetes – do të jenë të nevojshme për fuqinë punëtore të së ardhmes. Ndërkohë që struktura organizative tipike e ditëve të sotme mund të mos jetë kaq e përhapur, individët do të marrin role drejtuese në ekipe të ngarkuara me projekte të caktuara apo do të punojnë me të tjerë për t’u përballur me probleme dhe për të gjetur zgjidhje.

8- Diversiteti dhe inteligjenca kulturore

Ndërkohë që bota dhe vendi i punës ndryshojnë gjithnjë e më shumë dhe bëhen më të hapura, është e rëndësishme që individët të kenë aftësitë për të kuptuar, për të respektuar dhe për të punuar me të tjerët pavarësisht ndryshimeve në racë, kulturë, gjuhë, moshë, gjini, orientimit seksual, politik, besimit fetar etj. Aftësia për të kuptuar dhe për t’u përshtatur me të tjerët që mund të kenë mënyra të ndryshme se si e perceptojnë botën jo vetëm do të përmirësojnë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë brenda një kompanie, por me siguri do t’i bëjë produktet dhe shërbimet e një kompanie më të suksesshme.

9- Aftësitë në teknologji

Revolucioni i Katërt Industrial është ushqyer nga inovacionet teknologjike si Inteligjenca Artificiale, big data, realiteti virtual, blockchains etj. Kjo do të thotë që çdokush do të kenë nevojë për një nivel të caktuar komfort rreth teknologjisë.

10- Përqafimi i ndryshimit

Për shkak të shpejtësisë së ndryshimit, në të ardhmen, në vendin e punës njerëzit duhet të jenë të aftë për të përqafuar ndryshimin. Jo vetëm që truri ynë duhet të jetë fleksibël, por edhe të përshtatet, duke qenë se duhet të përshtatemi ndaj ndryshimeve në vendin e punës, pritshmërive dhe aftësive. Një karakteristikë e rëndësishme gjatë Revolucionit të Katërt Industrial do të jetë aftësia për ta parë ndryshimin, jo si një peshë, por si një mundësi për t’u rritur.

*Bernard Marr