Kabinete të reja dentare edhe në shkollat e Durrësit, Shkodres dhe Elbasanit

21

Pas Tiranës programi për shëndetin dentar në shkolla po shtrihet me kabinete të reja dentare edhe në Durrës, për të vijuar më pas shtrirjen edhe në qytete të tjera.

Në Durrës janr 3 unite të reja dentare të reja, ndërsa në Tiranë janë instaluar 10 kabinete dentare, me fazën e parë të programit. Faza e dytë e programit janë 8 unite dentare që po instalohen në tre qytete, në Durrës, Shkodër dhe Elbasan, të të njëjtit standard.

Gjithashtu po zbatohet edhe programi i kujdesit për shikimin në këtë shkollë, program i cili është shtrirë në të gjithë vendin. Janë më shumë se 90 mijë fëmijë të cilët janë depistuar. Dhe gjithashtu prindërve të tyre u është relatuar edhe statusi i të gjithë vizitave që i janë bërë.

Me investimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç, ka filluar në 10 shkolla të Tiranës, më konkretisht, në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Në Durrës programi i dentistrisë do të zbatohet në shkolla 9-vjeçare “Naim Babameto”, “Abedin Dino”, “Njazi Mastori”; në Elbasan në shkollat “Luigj Gurakuqi”, “Jorgji Dilo”, “Bardhyl Popa”; në Shkodër në shkollat “Ismail Qemali”, “Ndre Mjeda”.

Gjithashtu ka nisur Programi i Parë Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, që përfshin pa dallim të gjithë fëmijët, nga të porsalindurit e deri në moshën 14-vjeçare, për kryerjen e depistimit apo kontrollit periodik të syve falas, për më shumë se 270 mijë fëmijë.

Ky program do të mundësojë që për fëmijët e porsalindur, deri në moshën 14 vjeç, të ketë një depistim të vazhdueshëm për sa i përket kujdesit ndaj syve, duke bërë kontrollin e parë edhe në shkolla dhe duke referuar të gjitha ato raste të cilat mund të kenë problematika me shikimin, tek mjeku specialist.