Në vitin 1959, David J. Schwartz shkroi kryeveprën klasike “The Magic of Thinking Big”, nga i cila janë shitur mbi gjashtë milionë kopje deri më sot. Një ndër mesazhet më të rëndësishme të këtij libri është se “suksesi nuk përcaktohet nga madhësia e trurit por nga madhësia e të menduarit”.
Por duke qenë se ne të gjithë jemi të aftë të mendojmë, natyrshëm lind pyetja “Pse disa njerëz janë të suksesshëm dhe disa të tjerë jo?
E gjitha përmblidhet me një fjalë të vetme: ambicia. Shkalla juaj e ambicies është në përpjesëtim të drejtë me nivelin tuaj të suksesit. Ambicia i lejon njerëzit të arrijnë nivele të larta arsimimi dhe të ardhurash, të krijojnë një karrierë të suksesshme dhe të gëzojnë nivele të jashtëzakonshme të kënaqësisë nga jeta.
Sidoqoftë, ka një gjë që shumica e njerëzve nuk e kuptojnë. Arma më e mirë në dorën e një personi ambicioz është eliminimi. Njerëzit ambiciozë e kuptojnë se janë pikërisht ato gjëra të cilat ata nuk duhet të bëjnë që i drejtojnë në rrugën drejt suksesit dhe të cilat ata, padyshim, i shmangin.
Krijimi i një mendimi të gabuar për të tjerët
Njerëzit ambiciozë mundohen gjithmonë që ta vendosin tjetrin në perspektivën e duhur, të mos i japin atij cilësi që nuk i kanë, pra tregohen shumë të kujdesshëm.
Pavarësisht se me kë kanë të bëjnë, ata e kuptojnë dhe e pranojnë faktin se të gjithë njerëzit janë të rëndësishëm, që nga roja i një ndërtese e deri tek CEO-ja i saj.
Njerëzit ambiciozë janë gjithnjë kuriozë. Ata e shohin veten si nxënës gjatë gjithë jetës, dhe mbi të gjitha duke e ditur vlerën që kanë. Në vend që të ndihen inferiorë në praninë e individëve të një niveli më të lartë – siç bëjnë shumica e njerëzve – ata mendojnë në ato momente se janë shumë të vlefshëm. Mendimi i tyre është: “ne jemi vetëm dy njerëz të rëndësishëm që diskutojmë për një temë të dobishme reciprokisht”.
Të bëjnë qëllimisht gjënë e gabuar
Njerëzit tepër ambiciozë e dinë se duke bërë gjënë e duhur ata do të krijojnë më shumë besim në vetvete. Kur ju bëni qëllimisht gjënë e gabuar, ndërgjegjja juaj do t’ju shqetësojë dhe nuk do t’ju lërë aspak rehat për të ecur më tej.
Qëllimet e mira bëjnë që njerëzit ambiciozë të shkojnë sa më larg dhe të jenë sa më të suksesshëm.
Të pasurit frikë nga përballja me veten
Para vdekjes në moshën 39-vjeçare, Blaise Pascal, tha një fjali shumë të fuqishme, forca e së cilës vazhdon të jetë e njëjtë edhe në ditët e sotme: “Të gjitha problemet e njerëzimit burojnë nga paaftësia e njeriut për t’u ulur në heshtje në një dhomë me veten”.
Ai ndoshta duhet ta ketë zbuluar me siguri se përballja me veten dhe të mos pasurit frikë nga të qëndruarit vetëm me veten është një prej mjeteve më të fuqishme për të krijuar një jetë të suksesshme.
Udhëheqësit e mëdhenj dhe novatorët e famshëm kanë qenë të njohur për orët e gjata që kalonin në shoqërinë e mendimeve të tyre.
Aftësia “për t’u ulur me mendimet tuaja” është një superfuqi në epokën moderne. /The Ladders