KESHILLA/ Si të komunikojmë me fëmijët në rastet e ndodhive të papritura

47

Një nga gjërat më të rëndësishme është që fëmijët duhet të kuptojnë që fatkeqësitë natyrore nuk janë në dorën tonë, nuk mund të kontrollohen apo parashikohen.

Operatori Shëndetësor në Tiranë ka ndarë disa këshilla për prindërit sesi ata duhet të komunikojnë me fëmijët për situata të krijuara si pasojë e këtyre fatkeqësive.

Fëmijët duhet të kuptojnë që ngjarje të tilla shkaktojnë frikë edhe tek të rriturit, por ndryshe nga ata menaxhojnë emocionet dhe duhet të ndjekim hapat për të qenë të sigurt dhe mos të përfshihemi nga paniku. Frika që toka do na dridhet sërish poshtë këmbëve,dhe meraku i vazhdueshëm që fëmijët mund të kenë mbas disa episodeve të lëkundjeve të tërmetit. Këto frikëra nuk kanë të bëjnë vetëm me fëmijët që janë prekur në mënyrë direkte nga tërmeti, por me gjithë të tjerët qe nga televizori kanë vëzhguar pamje dhe video në media, duke e përjetuar indirekt dramën.

Në çfarë mënyre mund të ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre?

Nuk mund të themi që ka një recetë të gatshme që mund të përdoret me fëmijët, pasi reagimi është i ndryshëm nga fëmija në fëmijë. Në përgjithësi nuk duhet ti fshehim asgjë dhe me patjetër duhet ti shpjegojmë se çfarë ka ndodhur realisht. Ndoshta mund të jetë e drejtë që ti flasim edhe për vdekjen, në mënyrë që ata të kuptojnë konceptin e jetës dhe të jetojnë me realitetin dhe situatën. Për fëmijët në moshë shkolle duhet të kuptojnë që nuk ka arsye pse të kenë ndjenja turpi dhe faji pasi çdo emocion që ata përjetojnë është normale dhe mund ta përjetojnë edhe adultët. Duhet ti ndihmojmë fëmijët që ti shikojnë gjerat pozitive si psh: familjarët e tu janë në gjendje të mirë, që nuk do të ndihen kurrë të vetëm dhe që ne jemi në çdo moment për ta. Është rëndësishme që të mirëkuptojmë dhe të dëgjojmë frikërat dhe gjëndjet e ankthit që mund të kenë fëmijët në këto momente, të cilat mund të jenë të shfaqura në mënyrë direkte ose indirekte.Ne duhet të jemi pranë tyre.
Fëmijët ekspozohen vazhdimisht ndaj lajmeve, imazheve dhe videove traumatike.

Cilat janë efektet që mund të kenë tek fëmijët?

Veçanërisht fëmijët janë të ndjeshëm ndaj situatave të tilla traumatike sepse nuk janë të përgatitur për të përpunuar informacione të shumta ndaj ngjarjeve të panjohura. Përjetimi ndryshon nga fëmija në fëmijë si në nivelin konjitiv,social dhe emocional. Nga studime të ndryshme shumë fëmijë kanë manifestuar shqetësime post-traumatike nga ekspozimi i vazhdueshëm. Është shume e rëndësishme për çdo prind apo mësues në shkollë për të dhënë përgjigje të përshtatshme për origjinën e frikërave dhe emocioneve të tyre,dhe të njohin shenjat klinike post-traumatike tek fëmijët.

Si t’i njohim këto shenja?

Duhet të dimë të interpretojmë jo vetëm ankthin por edhe sjellje regresive si psh: urinimi në shtrat, dëshira për të fjetur sëbashku me prindërit, kërkimi për një person që ti qëndroj pranë në çdo moment, rënia nga mësimet, heshtje, frika nga errësira, vetë dëmtime, përsëritja në mënyrë obsesive të situatave traumatike. Është shumë e rëndësishme që fëmijëve ti ofrojmë realitetin. Nuk rekomandohet t’i gënjejmë dhe ti zbukurojmë situatat të cilat në të vërtetë janë dramatike. Qetësimi i simptomave vjen duke u përballur me të vërtetën. Imagjinarja dhe fantazia tek fëmijët është tepër e zhvilluar por kjo nuk do të thotë që prindërit apo mësueset duhet t’i ofrojnë realitetin përmes saj. Nëse shenjat klinike post-traumatike tek fëmijët tuaj vazhdojnë për një periudhë mbi 4 muaj atëherë ju duhet t’i referoheni një profesionisti.