Korsi biçikletash, ndriçim dhe gjelbërim/ Hapet për qarkullimin e automjeteve loti i parë i bajpasit të Shkodrës

80

Punimet për lotin 1 të bajpasit Shkodër kanë përfunduar dhe i gjithë ky segment me gjatësi 4.8 kilometra tashmë është i hapur për lëvizjen e automjeteve. Aksi është i pajisur me të gjithë elementët urbanë, trotuarë, korsi biçikletash, ndriçim dhe gjelbërim, duke shërbyer edhe si një pedonale për qytetarët shkodranë.

“Është një lot që përbëhet nga 4.8 kilometra gjatësi, me dy kalime nga 7 metra gjerësi për lëvizjen e makinave. Aksi ka të gjitha elementët e nevojshme për një rrugë të kësaj kategorie, kemi korsitë e biçikletave, trotuarin, gjelbërimin, ndriçimin anësor dhe qendror. Ky segment do të lehtësojë shumë trafikun dhe lëvizjen brenda qytetit”

Bajpasi i Shkodrës nis në hyrje të qytetit dhe përfundon në dalje të tij duke u lidhur me segmentin Shkodër-Hani i Hotit. Ky segment do të shërbejë për përdoruesit e rrugës të cilët kanë destinacion Doganën e Hanit të Hotit si dhe të gjithë rrethinave të Malësisë së Madhe duke evituar në këtë mënyrë hyrjen në brendësi të qytetit të Shkodrës. Loti 2 i bajpasit do marrë zhvillim në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do ta trajtojë si një shëtitore dhe si një lulishte të inkorporuar brenda zhvillimit të madh që ka marrë zona.