Kush është shqiptari “engjëll mbrojtës”, që u shpall “Heroi i Vitit” në Suedi. Mesazh edhe nga futbollisti Ibrahimoviç (VIDEO)

155

Një shqiptar i Kosovës që jeton në Suedi është shpallur hero në vendin nordik, pasi shpëtoi jetën e 20 fëmijëve të mitur.

Ngjarja ka ndodhur në muajin maj të këtij viti, teksa Fidan Bejta, ndodhej më djalin e tij të vogël në një park lojërash në qytetin Malmö.

Aty më pas është afruar një grua me një thikë në dorë, që i ishte vërsulur një grupi fëmijësh që ndodheshin në park për të luajtur.

29-vjeçari ka rrëfyer momentin sesi kishte mundur ta shpërqendronte gruan edhe me ndihmën e një tjetër personi me origjinë arabe, derisa në fund kishte mundur ta neutralizonte atë.

“Isha jashtë me djalin duke shëtitur. E lashë djalin jashtë dhe hyra të vishesha. Dëgjova nga jashtë zëra se një grua po ndiqte me thikë disa fëmijë. Iu afrova gruas në oborr. E pyeta çfarë je duke bërë dhe u përpoq të më qëllonte me mua. E lashë 2 minuta duke u konfliktuar me mua, në mënyrë që të përqëndrohej tek unë dhe jo tek fëmijët. Një fqinji im, arab, u afrua në mënyrë që gruaja të ikte dhe të kthehej me kurriz. Kur ajo u kthye unë e qëllova në kurriz. Ajo ishte me problem të shëndetit mendor. Nuk i kishte konsumuar rregullisht ilaçet e saj. Fëmijët ishin të trembur, por që prej atij momenti sot më thërrasin “heroi” “heroi”.”

Ai u shpërblye me çmimin “Engjëlli Mbrojtës” në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin suedez, Stokholm. Gjatë ceremonisë ai është përshëndetur edhe nga sulmuesi suedez Ubrahimoviç, që luan në SHBA me LA Galaxy.

“Ju jeni një hero i vërtetë. Punë e mirë. Të gjithë janë krenarë për ty. Ajo që bëtë nuk është ajo që secili do të guxonte të bënte. Vazhdo të jesh kështu, vetvetja. Na duhen më shumë si ty. Ju ftoj që të vini dhe të më shikoni një lojë live”, tha Zlatan në mesazhin e tij.

Mediat suedeze shkruajnë se shqiptari e kishte idhull Zlatan dhe u emocionua në momentin kur mori mesazhin live prej tij. Ngjarja kur shqiptari shpëtoi 20 fëmijë ndodhi në 13 maj 2018, dhe bëri jehonë në Suedi.