Raporti i BB/ Mundësitë e barabarta, Shqipëria “parajsë” për femrat

35

Shqipëria është një prej vendeve më të barabarta në botë, sa i përket barazisë gjinore. Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka publikuar raportin e hendekut gjinor 2020, një raport vjetor, i cili është më i rëndësishmi në nivel global në drejtim të barazisë gjinore. Raporti i këtij viti, e rendit vendin tonë të 20-tin mes 153 shteteve, çka përkthehet në një përmirësim me 14 pozicione krahasuar me renditjen e vitit të kaluar, ku renditeshim të 34-tit. Vitin paraardhës renditej e 38-ta dhe në 2006-ën e 61-ta.

Në indeksin e përgjithshëm, pikëzimi  i Shqipërisë sinjalizon një nivel barazie gjinore në 76%, ndërkohë që vendi i parë në listë, Islanda e ka në 85%, dhe  vendi i fundit, Yemeni, në 49%. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është padiskutim e para. Sipas kësaj renditje, të jesh femër në Shqipëri ke një nivel barazie me gjininë tjetër më shumë edhe se në vende si Belgjika, Australia, Portugalia,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Holanda, sa për të përmendur disa.

Kapërcim galopant kanë bërë edhe dy nën-indikatorët e tjerë mbi të cilët përpilohet indeksi i përgjithshëm, ai i edukimit dhe ai i pjesëmarrjes politike.