Libra, dije dhe shpresë

74

Mirjeta jeton në një fshat të vogël në periferi të Librazhdit. Asaj i pëlqen të mësojë vazhdimisht gjëra të reja. Mundësitë që ofron zona ku banon nuk janë të shumta, por ka një mik me të cilin “shëtit” botën; librin.

17-vjeçarja është në vit të dytë, studion në një shkollë të mesme dhe është pjesë e grupeve IMPACT. Ajo thotë se leximi e ka ndihmuar që ta “kuptojë dhe zbulojë jetën më mirë”, përtej asaj që dinte.

Biblioteka e shkollës është e vetmja mundësi për Mirjetën dhe bashkëmoshatarët e saj, hapësirë të cilën mund ta shfrytëzojnë edhe pas mësimit. Aty ëndërrojnë për të ardhmen, marrin njohuri të reja, por edhe bashkëbisedojnë për tema të ndryshme me interes për shkollën dhe komunitetin. Por, pavarësisht pasionit për leximin dhe dijen, gjetja e librit të preferuar nuk ka qenë gjithmonë e mundur për adoleshenten dhe nxënësit e tjerë të shkollës.

Edhe pse ishte funksionale, numri i librave që biblioteka kishte në dispozicion ishte i kufizuar dhe ambienti nuk ishte i përshtatshëm. Kjo i nxiti nxënësit drejt një ndryshimi të madh për shkollën dhe komunitetin.

Mirjeta dhe shkolla e saj kishin dijeni për mini grantet e World Vision, përmes të cilëve mbështeten idetë dhe nismat e të rinjve, për përmirësimin e jetës sociale të komuniteteve ku jetojnë. Me ndihmën e drejtorisë së shkollës dhe bordit të prindërve,17-vjeçarja dhe nxënësit e tjerë plotësuan aplikimin dhe iu drejtuan për ndihmë zyrës tonë.

World Vision Albania iu përgjigj pozitivisht nismës së të tyre, duke pasuruar bibliotekën me 78 tituj të rinj librash. Ndërhyrjes iu nënshtrua edhe salla e bibliotekës, e cila u pajis me karrige, rafte e tavolina.

Prej korrikut të 2021, biblioteka është ndryshe. Ka më shumë ngjyra dhe jetë. Raftet janë plot dhe karriget asnjëherë bosh. Mirjeta, Martina, Regio, Noeli dhe Blerta janë ulur në tavolinën e parë, djathtas. Qetësia mbizotëron. Zhurma e vetme që dëgjohet është tingulli i ëmbël që lëshon ndërrimi i fletëve të librave që ata mbajnë në dorë.

 “Ky është një investim shumë i rëndësishëm për shkollën tonë. Unë e kaloj kohën e lirë duke lexuar. Dikur nuk kishim kaq shumë libra sa kemi sot dhe nuk mund të gjenim titujt që na nevojiteshin. Tani në bibliotekën tonë mund të gjejmë libra, jo vetëm për lëndët shkollore, por edhe libra që duam t’i lexojmë në kohën e lirë në shtëpi. Tashmë biblioteka është e hapur edhe për anëtarët e tjerë të komunitetit,”– na tregon Mirjeta.

“Leximi i një libri është gjithnjë më i vlefshëm se lundrimi në rrjetet sociale. Thirrja ime për bashkëmoshatarët është që ta shfrytëzojnë kohën në mënyrë efektive,”- thotë 17-vjeçarja.

Mësuesja e letërsisë, Alma na tregon se para investimit, numri i nxënësve që frekuentonte bibliotekën ishte i ulët, pasi nuk kishte libra për të gjitha grupmoshat. Sipas saj, tani numri i nxënësve që tregojnë interes për librin dhe që frekuentojne bibliotekën rregullisht është rritur. Me pasionin dhe nismat e tyre, në bashkëpunim me mësuesit e shkollës dhe World Vision, Mirjeta dhe bashkëmoshatarët e saj po ndikojnë edhe në përmirësimin e jetës sociale dhe kulturore të komunitetit. Pasurimi i bibliotekës ka afruar pranë librit edhe dhjetëra prindër.

 “Ne jemi shkollë Qendër Komunitare dhe trinomi mësues-nxënës-prindër ka bërë që shkolla jonë të jetë e hapur edhe për komunitetin. Biblioteka ka sjellë pranë shkollës edhe shumë prindër, të cilët shfrytëzojnë librat që kemi në dispozicion,”- thotë mësuese Alma.

Salle e re e bibliotekës u shërben nxënësve e mësuesve edhe për zhvillimin e takimeve të ndryshme, ku diskutojnë mbi aktivitetet dhe nismat e shkollës.