Mbështetja nga IPARD, ferma në Fier serra me teknologji të avancuar

31

Prodhimi vendas i rrushit, tashmë edhe në serra, po dominon gjithnjë e më tepër, jo vetëm në furnizimin e tregut vendas, por edhe në eksporte.

Algert Gropa në Patos, Fier, prodhon rrushin për tavolinë në serra dhe me mbështetjen e programit IPARD II ka aplikuar teknikat e fundit të kultivimit për ambjentet e mbrojtura.

Ai ka një sipërfaqe prej 3.3 dynym serrë, me sistem të kontrolluar të ngrohjes dhe ajrosjes, si edhe panele fotovoltaike për uljen e kostove.

Kultivimi i fruta-perimeve në serra siguron mbrojtje të prodhimit nga kushtet klimatike, produkte në çdo stinë, çmime të favorshme në treg, duke sjellë më tepër fitime dhe të ardhura për fermerët.

Falë mbështetjes së AZHBR-së, përmes programit IPARD, fermerët kanë zgjeruar investimet në plantacionet me vreshta. Gjithashtu po shtojnë serrat, për kultivimin e rrushit të tavolinës, duke shtuar ndjeshëm prodhimin dhe dyfishuar eksportet e rrushit.

Me mbështetjen nga programi IPARD II ata kanë investuar në përmirësimin e teknologjisë nëpërmjet përdorimit të mekanikës bujqësore, duke rritur prodhimin dhe përmirësuar ndjeshëm standardet e fidanëve të rrushit.

Sot rrushi “Made in Albania” shkon në supermarketet e Evropës, falë një zinxhiri të mirorganizuar fermerë – përpunues – shitës.

Mbi 11 mijë ha vreshta të shtrira në të gjithë territorin, kanë bërë të mundur që prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, të arrijë rreth 190 mijë tonë rrush.

Ndërsa vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendiment të lartë.

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.

Rrushi i prodhuar në serra i cilësisë së parë shitet kryesisht në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi.

Ndërkohë importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit.

/ata.gov.al