25 kroçera turistike vizituan Sarandën në 10 muaj

27

Saranda vijon të jetë edhe gjatë këtij viti destinacioni i preferuar i kroçerave turistike.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në fund të tetorit në Portin e Sarandës kanë mbërritur 25 kroçera, nga të cilat 10 të mëdha dhe 15 të përmasave më të vogla”.

“Vetëm nga kroçerat e mëdha në port kanë mbërritur 15 294 turistë, ndërsa nga anijet e tjera turistike kanë mbërritur 4401 turistë”, tha Qendro.

Sipas tij, ajo që vihet re këtë vit është ardhja e kroçerave edhe gjatë muajit nëntor.

“Në fillim të muajit nëntor mbërriti në port kroçera “Nieuw Statendam” me 2497 turistë në bord, të kombësive të ndryshme, angleze, kanadeze, holandeze etj”, shtoi Qendro.

Drejtori i portit të Sarandës bëri të ditur se “në nëntor presim edhe kroçera të tjera që do të vizitojnë qytetin bregdetar”.

Saranda vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj, që vizitojnë vendin tonë me kroçera.

Turistët që vijnë me kroçera kanë vizituar sitet turistike e arkeologjike të Sarandës, Gjirokastrën, si dhe kanë shijuar kulinarinë shqiptare të zonës.

/ata.gov.al