Mbi 55% e SME-ve e sigurojnë 80% të lëndës së parë brenda vendit

0

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla e të mesme (rreth 55% e ndërmarrjeve të vogla dhe 39% e atyre të mesme) e sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit, bën të ditur Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e publikuar së fundmi, mbi gjendjen financiare të huamarrjes së ndërmarrjeve.

Sipas BSH-së, ky tregues ka regjistruar rritje me 6.9 pp në rastin e ndërmarrjeve të vogla dhe me 1.7 pp për ndërmarrjet e mesme, krahasuar me periudhën paraardhëse.

Nga ana tjetër, rreth 41% e ndërmarrjeve të mëdha sigurojnë vetëm deri në 20% të
lëndës së parë brenda vendit, me një rritje gjashtëmujore prej 3.4 pp.

Shitja e produkteve vijon të mbetet kryesisht brenda vendit, ku rreth 85% e ndërmarrjeve të vogla, 66% e ndërmarrjeve të mesme dhe 57% e ndërmarrjeve të mëdha, kanë deklaruar se kanë shitur shumicën e produkteve në tregun vendas (mbi 80% të volumit të produkteve).

Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ka pasur një rënie prej 1.5 pp të peshës së ndërmarrjeve të vogla që i shesin produktet e tyre kryesisht brenda vendit, ndërkohë që pesha e ndërmarrjeve të mesme që deklarojnë një gjë të tillë është rritur me vetëm 0.4 pp.

/ata.gov.al