MBZHR, 550 milionë lekë investimet në ujitje dhe kullim për Bujqësinë

3

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural paralelisht me programin e mbështetjes së drejtpërdrejtë për fermerët po vijon me investime të rëndësishme në infrastrukturën rurale.

Sipas raportit të monitorimit të buxhetit për periudhën janar-prill 2023 të hartuar nga Ministria e Bujqësisë, rezulton se vend parësor zënë investimet në infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes.

Rreth 550 milionë lekë janë investuar për vijimin e punimeve për mirëmbajtjen e objekteve të infrastrukturës së ujitjes, veçanërisht në bërjen funksional të kanaleve kryesor ujitës Peqin-Kavajë, që mbulon me ujitje bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, kanaleve Naun Panxhi dhe Poilis Tudan, që mbulojnë me ujitje bashkinë Elbasan, si dhe veprat e marrjes së ujit për disa kanale kryesor ujitës në administrim të Ministrisë (kanalet Mat-Lezhë, Mat-Kurbin në Lezhë e Kurbin, Vjosë-Levan-Fier, në Fier, Degët Ujitëse me rezervuarin e Thanës në Lushnje etj).

Gjithashtu kanë filluar punimet për pastrimin e rrjetit kryesor kullues si dhe është mundësuar funksionimi normal i 27 hidrovorëve për kullimin e rreth 70,000 ha, që preken më së shumti nga reshjet.

Në lidhje me projektet për investime: nga 42 objekte, në 15 prej tyre që janë objekte në vazhdim, kanë përfunduar punimet në 11 objekte, ndërsa 27 objekte të tjerë janë të rinj dhe aktualisht nuk kanë filluar akoma punimet, pasi janë në procedurat e prokurimit.

/ata.gov.al