Media britanike “House and Garden”: Një udhëtim në vendin e lavdishëm, Shqipëri

1

Ndërsa Shqipëria vazhdon të largohet nga e kaluara e saj e trazuar, gazetari Stanley Stewart i revistës britanike “House and Garden” ka zhvilluar një vizitë në fshatrat malore të republikës ballkanike dhe në rrënojat piktoreske ilire, duke zbuluar një mënyrë jetese që në disa vende ndihet pothuajse e paprekur nga koha.

Gjatë udhëtimit tim në Shqipëri shoqërohesha nga Elvisi.

Elvisi ishte shoferi im. Ai i dinte të gjitha vendet më të mira për të ngrënë, mund të gjente varret më të thella ilire dhe kishte kontakt me vëllazëritë e largëta monastike.

Ai ishte i thellë në mendime dhe shumë perceptues për historinë shqiptare. Kur e pyeta për emrin e tij, ai tha se emra të tillë nuk mund të vendoseshin në kohën e Diktatorit.

Duket se për shumë njerëz, as shqiptimi i emrit të ish-liderit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, nën regjimin e të cilit vuajtën për katër dekada të gjata deri në vdekjen e tij në 1985, nuk ishte e mundur. Ata i referoheshin thjesht si Diktator.

Kalova një javë me Elvisin, duke u përhumbur në kështjellat osmane, duke u ngjitur nëpër amfiteatrot, duke vizituar varret ilire, duke pirë me murgjit me mjekër në manastire të largëta, duke dëgjuar historitë për Lord Bajronin dhe gjakmarrjen dhe katastrofën ekonomike në fshatra.

Në nefet e errëta të kishave të braktisura, vura re fytyrat e shqetësuara të shenjtorëve dhe martirëve.

Poshtë në bregdet, midis rrënojave me diell të Apolonisë, u ngjita në shkallët e tempullit ku kishte qëndruar Gaius Octavius kur dëgjoi lajmin për vrasjen e xhaxhait të tij, Jul Çezarit.

Në kohën e Octavius , vendi ishte pjesë e botës mesdhetare dhe ende njihet si Iliria.

Grekët dhe romakët vinin dhe shkonin lirisht përtej kufijve të hapur përpara se osmanët të ulnin perdet perëndimore në këtë vend të mrekullueshëm.

Për pesë shekuj Shqipëria u sundua nga turqit. Në shekullin e XX, kur batica turke kishte rënë, izolimi i vendit u thellua pasi duroi një regjim komunist aq të ashpër dhe brutal sa e bëri Korenë e Veriut të dukej përkëdhelëse.

Ikja e Shqipërisë nga historia e saj e trazuar është e jashtëzakonshme. Problemet vazhdojnë, por vendi me malet me diell të paqes, prosperitetin relativ dhe lidhjet e mira të Wi-Fi po shfaqet si një nga vendet më të bukura në Ballkan.

Tani Shqipëria është një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE dhe ka filluar të shfaqet në listat e udhëtarëve.

Bregdeti i Adriatikut është një atraksion i madh. Çdo vit, në fillim të qershorit në fshatin bregdetar Dhërmi organizohet festivali njëjavor i muzikës “Kala”.

Por, nuk ishin gjiret blu dhe Adriatiku i shkëlqyeshëm për të cilat kisha ardhur, doja një Shqipëri ndryshe.

Në brendësi të vendit, mes një grumbulli malesh, vendi ofron pamje të një bote që stërgjyshërit tanë do ta njihnin, një Evropë e vjetër vagonësh të tërhequr me kuaj që gjëmojnë përgjatë korsive të fshatit, barinjsh që ndjekin në vazhdën e tufave endacake të deleve dhe livadheve spektakolare me lule të egra.

U nisa për në qytetin e lashtë osman të Gjirokastrës. Një qytet me rrugë gjarpëruese dhe shkallë, me korsi të pjerrëta të veshura me shtëpi prej guri përkrah njëra-tjetrës.

Në disa vende, sipas shkrimtarit, Ismail Kadare, mund të ‘ecësh në rrugë, të shtrish krahun dhe të varësh kapelën në një minare’.

Në mbrëmje, darkova në një tarracë të jashtme, me pamje nga shtëpitë e vjetra të grumbulluara rreth meje që më shoqëronin ne heshtje. Mbi çatitë, kalaja notonte si një mirazh.

Duke u larguar nga Gjirokastra, unë dhe Elvisi u drejtuam për në kanionin e Nivicës, rruga e zbrazët që të çonte pas parvazeve të rrëpira.

Përtej kufirit, kanioni shfaqej si një melodramë gjeologjike kolosale. Shumë më poshtë, ujëvarat notonin brenda dhe jashtë reve.

Nga fshati i lartë i Nivicës, udhëtova rreth 30 minuta me një Land Rover përgjatë një rruge thuajse të pamundur për në kampin e stilit safari, ku gjendeshin gjashtë tenda luksoze të ngritura në një shpat me bar.

Poshtë tendave, bota u rrëzua në thellësitë e kanionit. Kalova dy ditë në këtë vend të largët, duke ecur gjatë ditës dhe duke ngrënë në mbrëmje, ndërsa errësira zbriste yjet ofronin ndriçim përtej një pellgu me dritë qirinjsh.

Pikërisht, gjatë rrugës për në jug ku eksploruam varret ilire pranë Linit, Elvisi sugjeroi që të vizitonim kunatin e tij.

Elvisi ka dy kunetër. Njëri jeton në Çikago, ku tani drejton një piceri të suksesshme.

Tjetri, Sotiri, jeton në Shalë, një fshat i largët malor 2 orë me gomar nga qyteti më i afërt.

“Shala është shumë larg nga kudo”, tha Elvisi, ndërsa ne linim rrugën kryesore dhe ngjiteshim në një shteg gjarpërues deri në male.

Pas rreth gjysmë ore, arritëm në një luginë të lartë të rrethuar nga majat. Shtëpitë ishin të shpërndara poshtë skeletit të një kishe pa çati.

E pyeta Sotirin nëse do të donte të bashkohej me vëllain e tij në Çikago. Ai tundi kokën, buzëqeshi dhe shtriu krahët, si për të përfshirë të gjithë peizazhin e lavdishëm të maleve dhe livadheve, një botë e largët me thesare të bëra vetë.

“Gjithçka është këtu. Nuk mund të krahasohet me Çikagon”, tha ai.

/ata.gov.al