MFE: Shpenzimet për investime 36.5 miliardë lekë gjatë 7-mujorit

4

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën shtatëmujore të vitit 2023, arritën në rreth 326.5 miliardë lekë, me një realizim në masën 91 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë ka rezultuar 4.6 % më i lartë ose rreth 14.2 miliardë lekë më shumë.

Referuar raportit të publikuar nga Ministria e Fincancave dhe Ekonomisë mbi treguesit fiskal paraprak, në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 7-mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 46.8 % të planit vjetor.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97 % dhe 71.6 % të planit të periudhës.

Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 53 % dhe 29.5 % të tij.
Shpenzimet korente për periudhën 7-mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 289.9 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ky zë ka rezultuar 9.1 % më i lartë ose rreth 24.2 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 7-mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 36.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 5.7 % më i ulët ose rreth 2.2 miliardë lekë më pak.

/ata.gov.al