Microsoft do t’u ofrojë pushime të pakufizuara punonjësve

8

Microsoft do t’u ofrojë punonjësve amerikanë pushime të pakufizuara. Njoftimi u bë para dy ditësh në një email që iu dërgua punonjësve nga Kathleen Hogan, Chief People Officer në Microsoft, e parë nga The Verge.

Microsoft i cilëson pushimet e pakufizuara “Discretionary Time Off”, të cilat do të jenë të vlefshme për të gjithë punonjësit amerikanë.

“Mënyra se si, kur dhe ku duam ta kryejmë punën tonë ka ndryshuar radikalisht” – shpjegon Hohan në një email të brendshëm.

“Dhe me ndryshimin tonë, modernizimi i politikës sonë mbi pushimet me një model më elastik ishte një hap i natyrshëm”.

Ndryshimet do të nisin më 16 janar dhe do të nënkuptojnë se edhe punonjësit e rinj të Microsoft nuk duhet të presin më për të marrë pushime.

Përveç kësaj politike të re të pushimeve pa kufizim, Microsoft do t’u ofrojë leje punonjësve, në rast sëmundjesh apo problemesh në shëndetin mendor, detyrimesh të tjera. Punonjësit që kanë ditë pushimesh të cilat nuk i kanë shfrytëzuar, do të marrin një pagesë, në prill.

Punonjësit me orë të Microsoft nuk do të mund të përfitojnë pushime të pakufizuara, po ashtu edhe ata që punojnë jashtë SHBA.

Microsoft thotë se ligjet federale dhe shtetërore në lidhje me pagat dhe oraret e bëjnë të vështirë t’u ofrosh pushime të pakufizuara punonjësve me orë, ndërsa ata jashtë SHBA do të ruajnë përfitimet aktuale në lidhje me pushimet, për shkak të ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme në vende të tjera.

Microsoft nuk është kompania e parë e madhe e teknologjisë që do të ofrojë pushime të pakufizuara.

Salesforce dhe LinkedIn, në pronësi të Microsoft, si dhe Oracle dhe Netflix ofrojnë të gjitha politika të ngjashme me pushime të pakufizuara për punonjësit.

Politika e re e Microsoft vjen pas vendimit për të lejuar më shumë punonjës të punojnë nga shtëpia përgjithmonë dhe bonusin prej 1,500 dollarësh për pandeminë që kompania u dha punonjësve.

/ The Verge