“Mirror”: Shqipëria – parajsa evropiane tërësisht nën radarin e turistëve

2

Me një vijë bregdetare me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, Shipëria ofron një Rivierë mahnitëse me plazhe dhe limane të bukura,  që mund të rivalizojnë lehtësisht vendet fqinje që gjenden në brigjet e saj, shkruan Lucy Skoulding në të përditshmen britanike “Mirror”.

Turistët po zbulojnë Shqipërinë si një alternativë buxhetore ndaj Spanjës dhe Kroacisë, duke shijuar bukurinë e saj natyrore dhe çmimet e ulëta. E vendosur mes Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria ofron një rivierë magjepsëse, plazhe të qeta dhe shërbime cilësore me kosto të përballueshme.

Dy turiste britanike ndanë përvojën e tyre, duke e përshkruar Shqipërinë si të ngjashme me Kroacinë dhe Greqinë, por me më pak turma dhe çmime më të ulëta. Ato vlerësuan mundësinë për të qëndruar në hotele luksoze me kosto sa ajo e hosteleve në vende të tjera. Ushqimi dhe pijet janë gjithashtu ekonomike, me darka që variojnë nga 10 deri në 15 paund dhe birra vetëm 2 paund.

Vizita në qytetin e Vlorës u bë akoma më tërheqëse për shkak të motit të ngrohtë në vjeshtë dhe hapësirave të qeta për relaksim. Fluturimet direkte nga Londra për në Tiranë, që fillojnë nga vetëm 28 paund, e bëjnë Shqipërinë një destinacion edhe më tërheqës për ata që kërkojnë aventura unike pa shpenzime të mëdha.

Referenca: ata.gov.al