Mjaftojnë 20 minuta ecje në natyre, ja efektet e jashtëzakonshme në trurin e njeriut

305

Mirëqenia e njeriut është e lidhur ngushtë me natyrën. Mjaftojnë 20 minuta ecje në natyrë që të ndihesh mirë, të përjetosh momente të lumtura, të kesh humor të mirë, përqendrim dhe energji. Lexoni më poshtë listën e dhuratave të çmuara që natyra na jep me bujari.

Më shumë shëtitje, më pak stres

Niveli i stresit tek njeriu matet nga hormone kortisoli. Sa më i lartë kortisoli aq më i stresuar ndihesh. Studimet kanë treguar që studentët që kalojnë më shumë kohë në natyrë kanë një nivel më të ulët të këtij hormoni se ata që qëndrojnë mes katër mureve.

Njerëzit që kalojnë shumë kohë në zyrë, por që kanë një dritare me pamje nga qielli, parku ose pylli kanë një nivel më të ulët stresi dhe marrin më shumë kënaqësi nga puna.

Pacientët e shtruar në spital që kanë kontakt me natyrën shërohen më shpejt. Thënë shkurt, stresi shërohet nëpërmjet të ashtuquajturës “Terapi e Pyllit”

Kujtesa afatshkurtër përmirësohet falë natyrës

Kohë më parë, ekspertë ndërkombëtarë kryen një studim mbi përfitimet e ecjes në natyrë. Një grup njerëzish bënë një shëtitje në një pyll, dhe një grup tjetër shëtiti në një rrugë të zakonshme qyteti.

Të dyja grupet kryen një test kujtese para dhe pas shëtitjes. Ata që kishin shëtitur mes pemëve kishin një performancë 20% më të mirë të kujtesës afatshkurtër se para shëtitjes. Rezultatet e studimit ishin krejt të ndryshme për njerëzit që kishin kryer një ecje në qytet.

Shëtitjet rikthejnë energjinë mendore

Mjafton një shëtitje 15 minutëshe në natyrë, ose po aq minuta duke parë yjet nga çatia që të ndjesh një lidhje shpirtërore me botën përtej shtëpisë tënde.

Kjo lidhje që krijon me universin ul nivelin e stresit dhe rregullon gjendjen shpirtërore dhe humorin. Një studim i fundit ka treguar që ecjet në pyll ulin nivelin e ankthit.

Të dhënat treguan se edhe ata që banojnë afër zonave të gjelbra kanë një shëndet mendor të përmirësuar.

Natyra të ndihmon në mendim dhe përqendrim

Mjaftojnë 20 minuta shëtitje dhe lodra në natyrë që fëmijët dhe studentët të jenë më të përqendruar. Ajri i pastër në natyrë e bën trurin të punojë më shumë dhe më fort se sa po të qëndrosh brenda.

Natyra rrit pozitivitetin

Një studim i kryer tregoi që ata që shpenzonin 30 minuta në natyrë ishin më të lumtur dhe ndiheshin mirë. Shumë shkencëtarë kanë publikuar studime që nënvizojnë lidhjen e pashmangshme që ekziston mes trurit, natyrës, shëndetit dhe lumturisë.

E rëndësishme është që kontakti me natyrën të nisë që nga fëmijëria, por nuk është kurrë vonë që t’i japim trurit tonë një forcë dhe energji të jashtëzakonshme të cilën nuk mund ta gjejmë kurrësesi duke u mbyllur në shtëpi apo në zyrë.

Mjaftojnë vetëm njëzet minuta.

Ulu në park, shëtit në pyll, krijo kontakt me kafshët, merr pjesë në ekskursione dhe hiq dorë nga teknologjia, telefonat celularë, instagrami, facebook etj.

Mjaftojnë 20 minuta dhe truri juaj do t’ju falenderojë!