Mozaiku i Tiranës po transformohet në një nga pikat më të vizituara të kryeqytetit

9

I fshehur mes pallatesh, së shpejti Mozaiku i Tiranës do të kthehet në një nga pikat më të vizituara të kryeqytetit, ku do të zbulohet jo vetëm një copëz e historisë së qytetit, por të mozaikëve të të gjithë Shqipërisë.

Së shpejti vizitorët vendas dhe të huaj do të kenë mundësinë që njëkohësisht të shohin gjetjen arkeologjike më të vjetër në kryeqytet, e po aty të gjejnë edhe informacion për mozaikët e tjerë anembanë Shqipërisë.

Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.
Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme.

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh.