Netë artistike verore për qytetarët e Tiranës

11

Qytetarët e Tiranës po argëtohen gjatë këtyre ditëve në “Sheshin Skënderbej” duke shijuar netët verore me ritme pianoje edhe një instalacion në formë reje, që te jep ndjesinë e muzikës që të ngre shpirtin peshë.

Muzikë shqiptare dhe e huaj, shoqëruar nga kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, u interpretuan me piano ku të shumtë ishin qytetarët që e ndoqën këtë ngjarje mjaft të veçantë artistike në shesh.

Krahas pianistit profesionist Thanas Paskali dhe korit femëror të TKOB, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, këtij kocerti iu bashkuan edhe të rinj e të reja që performuan në piano.

Gjithashtu protagonist ishin dhe fëmijë që sapo kanë nisur të mësojnë në këtë instrument, ndërsa publiku i rastësishëm iu bashkua zërave të artistëve në këngët “Luleborë”, “Dua më shumë Shqipërinë”, “Po t’jemi bashkë ne të dy” etj.

Pianoja u vendos gjatë fundjavës në hapësirën mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Hotel “Tiranës”, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur buzëmbrëmjes.