Nga qukapikët tek dallëndyshja faqebardhë, ekosistemi i pasur i Rezervatit natyror të Velipojës

21

Rezervati natyror i Velipojës është pjesë e zonës së mbrojtur të lumit Buna.

Rezervati natyror i Velipojës është një pikë tërheqëse për kryesisht për turistët e huaj, në mënyrë të veçantë për shumëllojshmërinë e shpendëve që gjen në të.

Prania e qukapikëve, është e zakontë, dhe jo pak, por aty mund të gjesh rreth 6 lloje.
Në këtë rezervat ka edhe një shpend shumë të veçantë, dallëndyshja e detit faqebardhë.

Një grup gazetarësh, studentësh dhe ekspertësh mjedisorë vizituan këtë rezervat në kuadër të trajnimit mbi gazetarinë klimatike me temë, “Eksplorimi i Ndikimeve të Ndryshimeve Klimatike në lumin Buna, Shqipëri”, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me GIZ Albania në Shkodër, vizituan këtë rezervat natyror, i cili ka një ekosistem mjaft të pasur.

Gazetarëve iu bashkua edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila apeloi për ngritjen e zërit nga mediet për më shumë shkrime mbi problematikat e ndryshimeve klimatike.

Sipas saj, nevojitet që njerëzit të njohin rreziqet që vijnë nga ndryshimet e klimës në mënyrë që të gjithë së bashku të mbrojmë dhe të kujdesemi sa më shumë për mjedisin që na rrethon.

Aurora Piroviq, drejtuese e organizatës mjedisore “Well Point” në Shkodër, shpjegoi se, në këtë rezervat përfshihen rreth 4 këneta që ndikojnë, jo vetëm për bimësinë, por kanë krijuar habitate për shumë shpendë.

“Ky ekosistem është i veçantë për shkak të biodiversitetit të lartë, afërsia me detin dhe lumin Buna, territor i përshtatshëm për shpendët ujorë. Kur vizitojmë këtë rezervat, hasim edhe prezencë të qukapikëve”, tha ajo.

Piroviq u shpreh se, në këtë rezervat ka edhe një shpend shumë të veçantë, Dallëndyshja e detit faqebardhë.

“Është shpend migrator, shfaqet kur del zambaku i bardhë i ujit në derdhje të lumit Buna. Ngjyrat e puplat të këtij shpendi janë të zeza, gri e errët ndërsa pjesa e faqeve është tërësisht e bardhë”, u shpreh Piroviq.

“Në këtë zonë të mbrojtur mbizotërojnë pisha dhe plepat, jo natyrorë. Një veçori është se është e pasur me bimësi dhe faunë. Janë mbi 170 lloje të ndryshme shpendësh, por edhe gjitarë”, tha ajo.

“Dikur para 30 viteve lejohej gjuetia, pasi ka pasur edhe rezidenca qeveritare. Ky pyll është pjesë e zonës së mbrojtur të lumit Buna”, tha Piroviq.

“Peizazhi Natyror i Mbrojtur i Lumit Buna është një pyll me një sipërfaqe prej 638 hektarë dhe përfshin brenda kësaj sipërfaqeje 4 këneta shumë të rëndësishme, të cilat jo vetëm ndikojnë në llojin e bimësisë, por edhe janë habitate për shumë shpendë. Është një pyll shumë i veçantë edhe për shkak të shumëllojshmërisë së shpendëve. Por ajo që është me e veçantë është se kur vizitojmë këtë rezervat me turistë, hasim shumë lloje qukapikësh. Kur vijnë turistët, që janë të interesuar për të parë shpendë, e kur më pyesin për qukapikë, gjithmonë i sjell këtu, sepse këtu mund të shikosh 6 lloje qukapikësh”, u shpreh biologia Aurora Piroviq.

Ndikimet e ndryshimeve klimatike janë hasur edhe në këtë rezervat natyror. Është vërejtur që me ndryshimin e temperaturave, periudhat e emigrimit të zogjve migratorë kanë ndryshuar. Ndryshimi i temperaturave ka bërë që edhe sëmundjet e shpendëve të jenë rritur vitet e fundit.

Trajnimi mbi Gazetarinë Klimatike synon të nxisë një rrjet gazetaresh dhe jo vetëm, për të njohur më mirë dhe inkurajuar raportimin e çështjeve të lidhura me klimën.

Përgjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit pritet të realizojnë publikime mbi ndryshimet klimatike, me perspektiva të reja dhe me fokus në zgjidhjen e problematikave si dhe të japin ide novatore në raportimin e klimës, duke përfshirë përvojat e realitetit virtual, podkastet, fushatat e mediave sociale ose metoda të tjera inovative të komunikimit klimatik, që mund t’i bëjnë të dhënat klimatike tërheqëse dhe të kuptueshme.

Vendi ynë është shumë i ekspozuar dhe vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike dhe për t’iu përgjigjur nevojave në këtë drejtim, projekti i financuar nga Fondi i Gjelbër për Klimën GCF për të forcuar gatishmërinë e Autoritetit Kombëtar të Përcaktuar NDA, po zbatohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qeveria Gjermane nëpërmjet GIZ.

/ata.gov.al