Nga Veqilharxhi tek Kristoforidhi, ekzemplarët e rrallë të abetareve i gjeni tek Muzeu Kombëtar

30

Ishte viti 1844 kur për herë të parë shqiptarët mund të kishin një abetare. Thuajse 176 vite më parë, këto faqe konsideroheshin si arma më e fuqishme për t’u shkëputur nga varësia e arsimit në gjuhë të huaja.

Quhej Evetari shqip i Naum Veqilharxhit dhe e gjeni të ekspozuar në muzeun historik kombëtar.

Kjo abetare bashkë me shumë të tjera, thuajse 100 vite histori të mësimit të shkronjave janë nxjerrë nga arkivat e Bibliotekës Kombëtare për të rrëfyer një histori të dijes, që vinte nga përtej kufijve.

Një nga abetaret më joshëse për studiuesit është ajo e realizuar nga Kostandin Kristoforidhi, i cili në vitin 1867 botoi një abetare në gegërisht dhe një në toskërisht për t’i treguar edhe turistëve të huaj sa e pasur ishte gjuha shqipe.

Biblioteka Kombëtare, për herë të parë ekspozon ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve, që mbajnë për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin, e vazhdojnë me Kristoforidhin, Kulluriotin, Sami Frashërin, De Radën, Ndre Mjedën, Parashqevi Qiriazin e deri te Aleksandër Xhuvani.