Nisma, të dhurojmë një lodër për fëmijët në spital

374
jonida-kumaraku-2-620x620
Jonida Kumaraku, ideatore e nismës “Dhuro një lodër” tregon shkëndijën që i lindi për të gëzuar fëmijët e shtruar në spital në ditën e tyre, 1 qershor dhe ndalet te dhurimi i lodrave: Të gjithë ne mund të ndihmojmë dikë

 

Nga Anxhela Devole

Jonida Kumaraku inicioi nismën “Dhuro një lodër”, si pjesë e një fushate sensibilizimi për të dhuruar lodra për fëmijët në spital dhe të tjerë në nevojë. Ajo ka një lidhje të ngushtë me median që prej moshës 13-vjeçare. Dëshiron të përdorë median për të dhënë një mesazh shprese dhe për të nxitur komunitetin në ndihmë të atyre që janë në nevojë në gjithë Shqipërinë. Ajo dhe organizata që drejton ka një mision: “Për varfërinë nuk flitet, veprohet!” “Të gjithë ne mund të ndihmojmë dikë, madje mund të bëjmë shumë më tepër se kaq”, shprehet Jonida. Ajo tregon se si i lindi shkëndija për të ndërmarrë një nisme të tillë, duke u kërkuar të gjithëve të dhurojnë një lodër. Deri tani, interesimi për të falur një lodër të përdorur apo për të dhuruar një lodër të blerë posaçërisht për këtë nismë, ka qenë i madh. Madje, të shumtë janë ata që dëshirojnë të dhurojnë për t’i rikthyer buzëqeshjen fëmijëve që gjenden në spital në festën e tyre, 1 qershor. Në intervistën për “Shekulli”-n, Jonida Kumaraku tregon lidhur me aktivitetin që do të organizohet në 1 qershor dhe rreth dhurimit të lodrave te fëmijët e shtruar në spital.

Si lindi ideja për të organizuar “Dhuro një lodër”?

Po diskutonim mes kolegëve të mi idenë se si të nxisim shqiptarët që të dhurojnë për diçka që të jetë konkrete dhe ku të gjithë të mund të përfshihen nga pak, për të kuptuar se, kur të gjithë ne japim ajo që mund të ndodhë shkon përtej çdo imagjinate apo plani. Menduam për festën e 1 qershorit në Shqipëri, ky është gjithmonë një moment shumë i bukur për të festuar me fëmijët dhe në mendjen tonë ishin ata fëmijë që në 1 qershor nuk vijnë dot në festime, sepse janë duke luftuar me një sëmundje në spital. Ata meritojnë që fëmijët e tjerë të mendojnë për ta dhe t’u dhurojnë disa çaste gëzimi, inkurajimi, lumturie dhe force. Kur menduam t’u kërkojmë të gjithëve të dhurojnë një lodër na u duk shumë e gjetur dhe e realizueshme, pasi të gjithë mund të ofrojnë diçka. Kjo është një mundësi fantastike që prindërit të mund të nxisin fëmijët e tyre, t’i mësojnë të mendojnë për dikë tjetër. Të vlerësojnë ato që kanë dhe të mendojnë për ata që nuk janë në të njëjtat kushte si ta.

Lodrat e grumbulluara do t’i dhurohen vetëm fëmijëve në nevojë në spital?

Plani ynë i parë dhe fokusi janë fëmijët e spitalit të pediatrisë, sepse festa e 1 qershorit ata i gjen në kushte të ndryshme nga fëmijët e tjerë. Nga reagimet që kemi marrë, e shikojmë që interesi është i lartë dhe po ndihemi kaq të privilegjuar që me këtë qëllim mund t’u dhurojmë një buzëqeshje jo vetëm fëmijëve të pediatrisë, por dhe fëmijëve të tjerë në nevojë. Me lodrat e grumbulluara dhe të tepruara ne pa diskutim që do të dhurojmë dhe për fëmijët më të pa privilegjuar.

A kanë shfaqur interes të rinjtë dhe jo vetëm, që të dhurojnë lodra?

Interesi më i lartë ka qenë nga prindërit e rinj me fëmijë të vegjël. Ata kanë folur për eventin te miqtë e tyre që kanë vendosur t’i bashkohen kësaj nisme gjithashtu. Prindërit na kanë inkurajuar dhe mbështetur shumë, sepse mendojnë që përmes kësaj iniciative edhe fëmijët e tyre janë duke marrë një mësim të mirë. Më ka emocionuar gjithashtu fakti që kopshtet publike janë interesuar për eventin tonë, dhe ata duan t’u kërkojnë prindërve të fëmijëve të përfshihen në këtë iniciativë.

Dhurojnë lodra të reja të blera posaçërisht apo lodra të tyret?

Ne e kemi lënë të hapur, sepse dëshirojmë që askush të mos thotë: “Nuk kam mundësi për të dhënë diçka.” Mendoj se i vetmi kusht është që, lodrat të mos jenë të prishura, pasi do të donim që fëmijët që do t’i marrin të mund t’i përdorin. Sigurisht që nëse dikush dëshiron të blejë diçka posaçërisht është më se e vlerësuar dhe e pranuar. Për çdo buxhet dhe familje besoj se, dhurimi i një lodre është absolutisht i mundur.

Sa lodra keni grumbulluar deri tani?

Fushata ka filluar vetëm dy ditë më parë dhe më shumë se njëqind persona tashmë kanë marrë përkushtimin për të sjellë diçka. Një pjesë e tyre kanë filluar t’i sjellin, një pjesë do t’i sjellin në 1 qershor. Kjo ditë do të jetë dhe dita ku presim që fushata të kulmojë dhe ku publiku i gjerë do të shohë nga afër atë që do të ndodhi. Kjo më ngroh zemrën sepse mendoj që do të kemi shumë më tepër dhurata dhe më tregon që, kur jemi bashkë dhe secili jep nga ato pak që ka, ajo çfarë mund të realizohet është shumë më e madhe.

Sa persona jeni angazhuar për këtë nismë dhe cilat janë rolet e secilit?

Jemi shumë mirënjohës për të gjithë ata që janë ofruar si vullnetarë për të ndihmuar praktikisht në këtë event. Sapo kemi shpjeguar iniciativën, miqtë kanë pyetur vetë “Po unë si mund të përfshihem?” Kjo të gëzon pa masë! “Radio 7” një partner mediatik na ka ndihmuar që t’i japim zë kësaj nisme, duke e mbështetur dhe reklamuar. Ju si gazeta “Shekulli” po na ndihmoni që shumë të tjerë akoma të marrin vesh për këtë nismë! Pastaj ka vullnetarë të tjerë, të cilët do të japin nga koha e tyre që të mbledhin lodrat gjatë kësaj periudhe dhe gjatë 1 qershorit. Të tjerë që do të kujdesen për regjistrimin e këtyre dhuratave, paketimin e tyre si dhe për t’i dhuruar. Do të ketë edhe nga ata që do të argëtojnë dhe falënderojnë fëmijët që dhurojnë. Kurse për “Javën e Fëmijëve” janë angazhuar më shumë se pesëdhjetë persona, të cilët do jenë të pozicionuar në stacione dhe ngjarje të ndryshme. Të tjerë janë ata që atë ditë do të na ndihmojmë të argëtojmë fëmijët dhe që do të na ndihmojmë me logjistikën. Të gjithë këta që do të përfshihen janë vullnetarë.

Më konkretisht, çfarë aktivitetesh të tjera do të zhvilloni në 1 qershor?

Aktiviteti i madh në 1 qershor do të zhvillohet te Parku Rinia, dhe janë planifikuar disa programe në shërbim të fëmijëve. Do të ketë disa stacione ku do të ofrohet “face painting” (vizatime në fytyrë), trampolina, kështjella me ajër, programe edukative me kukulla. Tema e ditës do të jetë: “Jeta jote është e çmuar.”

Flasim pak për javën e fëmijëve. Zhvillohet për herë të parë?

Po, këtë vit për herë të parë do të ketë një organizim për “Javën e Fëmijëve”. Kjo është ideja e “Fëmijë në Fokus”, një rrjeti organizatash të cilat veprojnë në favor të fëmijëve në Shqipëri, duke ofruar programe për fëmijë: animacion, teatër kukullash, panaire, si dhe mobilizim të aktoreve kyç dhe ndërgjegjësim të prindërve nëpërmjet trajnimeve. Rrjeti përmbledh rreth 12 partnerë të ndryshëm, me veprimtari në gjithë territorin e Shqipërisë. Organizatat anëtare të rrjetit janë edhe anëtarë të komunitetit ungjillor VUSH.

Çfarë aktivitetesh do të zhvillohen gjatë javës së fëmijëve?

Gjate javës, nga data 30 maj deri në 3 qershor do te mblidhen eksperte të cilët do të ndajnë këshilla praktike rreth edukimit të fëmijëve, prindërimi, komunikimi me fëmijët, si të mësosh dhe të disiplinosh fëmijët, si t’ju dhurosh dashuri fëmijëve. Gjithashtu do të ketë një fokus te fëmijët në nevojë, duke qenë të ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijëve autik apo me sindromën doun. Pa harruar ata fëmijë të cilët janë të ngujuar si pasojë e gjakmarrjes apo edhe fëmijët që kanë njërin prind ose të dy në burg. Këto aktivitete do të zhvillohen te Shkolla e Kuqe, në kuadrin “Shkolla Qendër Komunitare”, si dhe ndërgjegjësim në media lokale.

Programi
eR5Q8eA

Java e Fëmijëve (30 maj – 3 qershor) do të ketë workshop, trajnim në kuadrin “shkolla si qendër komunitare” dhe ndërgjegjësim nëpërmjet intervistave në radio dhe televizione lokale.

Dita e Fëmijëve (1 qershor) event dhe animacion te Parku Rinia

Gjatë javës, nga 30 maj – 3 qershor do të mblidhen ekspertë, duke ndarë këshilla praktike rreth edukimit të fëmijëve, prindërimin, komunikim me fëmijët, si të mësosh dhe të disiplinosh fëmijët etj., si dhe fokusi te fëmijët në nevojë, me aftësi të kufizuar, autistë, me sindromë doun, gjakmarrje, si edhe fëmijët e të burgosurve.

“Për lodrat e dhuruara për fëmijët e spitalit pediatrik në Tiranë do të krijohet një kënd pranë stendës së “Radio 7”. Fëmijët dhe prindërit mund të dhurojnë lodrat e tyre të vjetra (të mirëmbajtura) ose të reja. Lodrat e grumbulluara do të dërgohen në spitalin e pediatrisë shoqëruar nga kukulla Gizmo e Superlibrit! Mund të vish edhe ti! Në 1 qershor 2016, nga ora 09:00 – 18:00. Nëse dëshiron mund të dhurosh një lodër edhe ditët në vazhdim, duke telefonuar në 0686047511”, është ftesa në “Facebook” për të gjithë ata që duan t’i bashkohen këtij aktiviteti.

Burimi: Gazeta Shekulli