“Njëlloj si ti”, vijon turin shfaqja edukative për më të vegjlit

113

Shfaqja “Njëlloj si ti” vazhdon turin e shfaqjeve në kopshtet e qytetit, ku synon të edukojë audiencën e vogël nëpërmjet argëtimit.

Këtë herë shfaqja udhëtoi pranë fëmijëve të kopshtit nr. 8 në Tiranë, ku argëtoi fëmijët dhe u përcolli atyre mesazhe sociale se sado të ndryshëm të jemi nga pamja e jashtme të gjithë jemi njësoj me të drejta për tu argëtuar dhe për të shijuar bukuritë e jetës.

Trupa e kukullave shumë të dashura për fëmijë, e përbërë nga kukulla me dhe pa aftësi të kufizuara, u ofron fëmijëve mundësinë për të mësuar rreth aftësive të kufizuara specifike, se si duhet të sillet një shoqëri me fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe tema më të gjera rreth miqësisë, ndërtimit të komunitetit, rëndësinë e shprehjes së ndjenjave dhe pranimin e dallimeve.

Teatri Metropol ka zgjedhur të përdorë fuqinë e kukullave për të sjellë një eksperiencë të paharrueshme edukative, ku mësojmë dhe informojmë fëmijët mbi shqetësimet dhe dallimet sociale, duke u dhënë atyre aftësitë që ata kanë nevojë për të qëndruar të sigurt dhe të shëndetshëm.