Njihuni me elektricistin nga Durrësi që kujdeset vullnetarisht për 30 qen e mace rruge (FOTOT)

59

Renato Xoxi 58-vjeçari nga Durrësi është një nga ata heronjtë e heshtur, që nuk ka nevojë për publicitet në atë që bën. Ai nuk bërtet me të madhe për të lypur ndihmë në ndërmarrjen që ka marrë prej vitesh. Pothuajse të gjithë jetën ia ka dedikuar kujdesit të qenve dhe maceve të rrugës. “Çfarë kemi ne është dhuratë nga Zoti, çfarë japim ne është dhuratë që ja japim Zotit”, është motoja e Renatos. Gjatë një rrëfimi për Gazetën SHQIP, Xoxi thotë se një pjesë të mirë e të të ardhurave i shpenzon për kafshët e rrugës dhe kjo e bën atë të lumtur dhe të gjejë paqen shpirtërore. Ndiqni intervistën e plotë të Renatos, i cili iu bën thirrje njerëzve që sado pak që të munden, të kujdesen për këto krijesa.

Renato, si lindi dashuria juaj për kafshët?

Që kur kam qenë i vogël mbaja kafshë në shtëpi. Pëllumbat i kam pasur më shumë qejf.

Përse kujdesesh për kafshët?

Ato të ndryshojnë karakterin. Të bëjnë një njeri më të mirë.

Sa orë në ditë iu dedikohesh kafshëve?

Shpenzoj mjaft kohë. Më duhen rreth 4 orë, përfshi këtu përgatitjen e ushqimit dhe shpërndarjen e tij. Këtë gjë e bëj çdo ditë. Madje shkoj në Kavajë për të blerë pula, që t’ua gatuaj më pas qenve dhe maceve. Iu blej edhe perime, që tu bëhet ushqimi më i shijshëm dhe i pasur me vitamina. Kam një tenxhere shumë të madhe për gatimin e ushqimit të tyre.

Sa para shpenzon në muaj?

Ka raste që shpenzoj 150-250 mijë lekë të vjetra në muaj, përfshi këtu edhe karburantin që më duhet të shpërndaj ushqimin. Kam rreth 30-40 qen e mace që kujdesem në ditë.