Fioralba Cakoni mban titullin profesor prej vitit 2010 dhe ka fituar gradën doktor i shkencave në matematikë prej vitit 1993 në Universitetin e Patras, Greqi.
Prej vitit 2015 ajo është anëtare e departamentit të matematikës në Rutgers University, SHBA, departament i cili renditet i 16-të në nivel botëror përsa i takon programeve matematike.
Prof. Cakoni ka punuar në një sërë universitetesh prestigjioze dhe ka bashkëpunuar me disa të tillë përfshirë këtu Ecole Polytechnique në Francë.
Aktiviteti i saj shkencor është në nivelin më të lartë ndërkombëtar e renditet në fushën e saj si një ndër profesoret më të suksesshme, e klasit botëror. Këtë e dëshmojnë botimet e saj të cilat përfshijnë 117 publikime, me 1855 citime sipas Mathscinet; 4249 sipas Google scholar; ka 4 monografi; ka dhjetëra pjesëmarrje aktive mbresëlënëse në konferenca botërore, simpoziume, kolokuiume, komisione organizatore aktivitetesh të tilla, zgjedhja si anëtare bordeve editoriale në disa revista shkencore në fushën e saj.
Prof. Cakoni është vlerësuar nga Shoqata Amerikane e Matematikës me çmimin Simons Fellow in Mathematics – 2016 dhe pranuar në Fellow of American Mathematics Society – Class 2019. Së fundi është zgjedhur anëtare e Akademisë së Shkencave në Shqipëri.