Njihuni me pianisten shqiptare që jep mësim në shkollën prestigjioze të muzikës në Itali

173

Gratë shqiptare po njihen gjithnjë e më shumë në botë për talentin e tyre ndërsa pianistja e famshme në Itali, Laura Sopoqoti jep mësim në një nga shkollat shtetërore më prestigjioze të muzikës.

Në një intervistë, Laura ka rrëfyer jetën artistike në Itali, ndërsa ka shpjeguar raportin e ngushtë që mban ende me vendin e saj, edhe pse prej shumë vitesh jeton në shtetin italian.

“Unë ndihem shumë mirë në Itali por nuk e harroj asnjëherë që jam shqiptare. Por, kur je në një shtet të huaj, duhet të kuptojmë që nuk jemi në vendin tonë”.

E ardhur nga një familje muzikantësh nga Fieri, Sopiqoti ka pasur fatin që e ka filluar pianon që në moshën 5 vjeçare me një mësuese hungareze. Ajo ka qenë nxënësja e Maria Rafaelit, së cilës i dedikon edhe arritjet e saj. Pas shumë vitesh me jetë të pasur artistike në Fier si soliste me Orkestrën Simfonike, në 1994 falë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe bashkëshortes së ambasadorit ju dha mundësia për të studiuar në Brindisi. Kjo përkonte edhe me bursën e studimit që ajo kishte fituar në Ohaio në SHBA, me një kasetë të thjeshtë që mësuesja e saj dhe babai kishin regjistruar dhe dërguar në Ohaio. Laura preferoi të studionte në Itali, për shkak edhe të afërsisë dhe dashamirësisë ndaj popullit italian.

Në vitet e para, sipas Laurës, Italianëve u bënte përshtypje fakti se ajo kishte diplomë me të gjitha 10 dhe kjo dukej gati-gati e pavërtetë për ta.

Talenti i saj dhe pasioni për muzikën dhe pianon është trashëguar edhe tek vajza e saj, sot 17 vjeç.

“Nuk kam dashur me patjetër që ajo të bëhet muzikante por ajo vetë ka pasur dëshirë të madhe. Kujtoj që kur unë bëja mësim shihja tek ajo dëshirë të madhe për pianon dhe kur i lija detyra të vogla ajo edhe pse shumë e vogël i përsëriste 10 herë dhe duhet t’ia kujtoje të largohej nga piano për të bërë gjëra të tjera”.

“Në Itali, ishin vitet e vështirë ku shqiptarët iknim me tragete. Në qytetin ku jetoj nuk kishte shumë shqiptarë dhe për ata vetë fakti që unë kisha një diplomë të konservatorit me shumë 10, i dukej sikur ishin të pavërteta. Nuk e dinin dhe nuk e kuptonin që në kohën e komunizmit në në Shqipëri nuk bënim 10 punë keq , por bënim vetëm 1 shumë mirë”.

Prej shumë vitesh Laura jep mësim në shkollën 8-vjeçare shtetërore “Montesori Mascagni”, në Katania dhe bashkëshorti i saj është Italian. Për vendin e saj, Shqipërinë, pianistja e famshme në Itali ka thënë se nëse do të duhet kontributi i saj, ajo është e gatshme ta japë.