Panairi i Librit “Tirana 2023” çel dyert e edicionit të 26-të

66

Në kryeqytet u çel sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Tirana 2023”, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.

Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve”, panairi u hap me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Panairi i librit përgjatë 5 ditëve do të mbledhë bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, të cilët  njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.

Gjatë ditëve të panairit do të jenë të pranishëm shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, por edhe të huaj. I ftuar do të jetë Lilian Thuram, futbollist i jashtëzakonshëm, por këtë radhë vjen si shkrimtar, si dhe Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm italian por edhe evropian, shkrimtari italian Alessio Puleo, shkrimtarja italiane Viola Ardone, përkthyesja italiane Ilide Carmignani etj.

Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 18 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.

Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e madh të titujve.

Panairi i Librit “Tirana 2023” do të qëndrojë i hapur deri më 19 nëntor për vizitorët në Pallatin e Kongreseve.

/ata.gov.al