nga Edmir Llapushi
Zgjedhjet po afrojnë, por klima politike është e ngarkuar me pasiguri, apati dhe ndjenja mosbesimi.
“Unë nuk merrem me politikë” – është një fjali që dëgjojmë gjithnjë e më shpesh. Por realiteti është krejt ndryshe: politika merret me ne, çdo ditë.
Çdo faturë që paguajmë na e kujton këtë. Një pjesë e madhe e rrogës shkon për taksa; 20% e çdo blerjeje për TVSH; mbi 50% e çmimit të karburantit përfundon në buxhetin e shtetit. Nëse nuk votojmë me ndërgjegje dhe në mënyrë kritike, në fakt po i japim klasës politike një çek të bardhë për të vepruar si të dojë me paratë tona.
Por çfarë do të thotë të votosh në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kritike?
Për ti dhënë një përgjigje, le të analizojmë së pari mënyrën si shumica e shqiptarëve i qasen votës.
Llojet e votuesve në Shqipëri
Në realitetin shqiptar dallojmë disa lloje votuesish, secili me logjikën dhe motivimin e vet:
- Militantët – si tifozët e futbollit: nuk e ndryshojnë “skuadrën” edhe kur ajo humbet. Janë besnikë ndaj një partie, pavarësisht kandidatit apo çfarë bën në pushtet..
- Shitësit e votës – nuk u intereson kush fiton. Vota e tyre ka çmim
- Utopistët – kërkojnë kandidatin perfekt, shpesh heqin dorë nga e drejta e votës.
- Pragmatikët – zgjedhin “më të voglin e dy të këqijave”, duke analizuar karakterin, programin dhe rreziqet që secili kandidat sjell.
- Realistët me interesa personale – votojnë për një favor të ngushtë personal: një vend pune, një leje ndërtimi, një ndihmë ekonomike.
- Realistët me interesa kolektive – votojnë për politika që prekin grupin e interesit ku bëjnë pjesë: fermerë, studentë, mjekë, sipërmarrës etj.
Votuesi pragmatik: Model i qytetarit të ndërgjegjshëm
Votuesi pragmatik është ndoshta figura më e rëndësishme në çdo shoqëri që aspiron ndryshim. Ky votues ëndërron një qeveri ideale… …por e pranon realitetin: qeveria është gjithmonë një e keqe e nevojshme që duhet frenuar dhe mbajtur nën llogari.
Ai e di se kur populli hesht, sundon më i keqi. Prandaj voton. Jo me tifozllëk. Por me mend.
Për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, ai bën disa pyetje kyçe:
- A ka karakter dhe ndershmëri?
- A ka ide dhe vlera që përputhen me të miat?
- A ka përvojë dhe aftësi për të qeverisur?
- Kush e financon dhe çfarë interesi përfaqëson?
- Kush janë ata që e mbështesin? A janë ata që përfaqësojnë interesat e mia?
Ai u jep pikë këtyre kritereve dhe zgjedh kandidatin me rezultatin më të lartë. Nuk pret një të mirë absolute, por zgjedh më të mirin nga alternativat reale – ose më pak të keqin. Dhe kjo, në shumicën e rasteve, është zgjedhja më e mençur që mund të bëhet.
Kur nuk kemi një zgjedhje të mirë, duhet të zgjedhim më të voglën e dy të këqijave. Nëse nuk zgjedhim fare, lejojmë të keqen më të madhe të fitojë.
Vota për favore personale: Kompromis që na kushton të gjithëve
Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e votuesve në Shqipëri votojnë për të zgjidhur një hall personal: një leje ndërtimi, një asistencë sociale, një vizitë pa radhë te QSUT, një provim që s’e kalojnë prej tre sezonesh, një vend pune.
Kjo sjell dy pasoja të rënda:
- Favori i kërkuar është shpesh jashtë kompetencave të politikanit, çka e shndërron marrëdhënien mes votuesit dhe kandidatit në një formë të heshtur bashkëfajësie.
- Votuesi që vepron si individ mbetet i dobët përballë pushtetit – kjo e zvogëlon autoritetin e votuesit për të kërkuar zgjidhje për çështje të mëdha: arsim cilësor, infrastrukturë, shëndetësi, drejtësi, ekonomi.
Nga individi te grupi: Si fuqizohet qytetari?
Grupet e interesit adresojnë nevojën e qytetarit për tu fuqizuar përballë politikanit. Ato bashkojnë votues me halle të përbashkëta. Kur qytetarët bashkohen për një kauzë të përbashkët – një rrugë për fshatin, ulje taksash për një sektor, financim për arsimin – ata fitojnë zë dhe ndikim politik. Politikanët dëgjojnë aty ku ka vota të shumta.
- Një lagje që kërkon urbanizim ka fuqi.
- Një komunitet biznesesh që kërkon politika fiskale të drejta ka peshë.
- Një brez i tërë studentësh që kërkon investim në arsim ka potencial për të ndryshuar agjendën politike.
Por, nëse e shesim votën për një ndihmë ekonomike apo pesë provime, mbetemi të varur dhe të heshtur – gjithmonë.
Të votosh me ndërgjegje do të thotë të votosh me përgjegjësi
Tani mund t’i përgjigjemi pyetjes së ngritur në fillim: çfarë do të thotë të votosh në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kritike?
Do të thotë të analizosh, të peshosh dhe të zgjedhësh kandidatin që, në rrethana reale, i bën më pak dëm shoqërisë në tërësi dhe grupit tënd të interesit në veçanti.
Nëse duam ndryshim, nuk mjafton të ankohemi.
Duhet të votojmë.
Me mendje, jo me bark. Me pyetje, jo me tifozllëk. Me interes kolektiv, jo me hall personal.