Përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes Dritëro Agolli, figurë qendrore e poezisë shqipe

17

Përkujtohet sot në 90-vjetorin e lindjes, Dritëro Agolli një nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe.

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. Ende në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ai boton në shtypin e kohës poezitë e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”.

Vepra letrare e shkrimtarit nga Devolli krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare dhe u përkthye në disa vende të botës.

Dritëro Agolli vlerësohet si një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”.

Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtar i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Ndërsa në prozë, kontributi më i rëndësishëm i Dritëro Agollit konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” . Ndërkohë që spikasin romani “Komisari Memo” si dhe “Njeriu me Top”.

Vepra e fundit e Dritëro Agollit është libri me poezi “Prit edhe pak” kushtuar bashkëshortes Sadijes.

Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.