Përkujtohet poeti martir Vilson Blloshmi

13

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin martir, Vilson Blloshmi.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.

Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd dënoi poetin Vilson Blloshmi dhe poetin Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.

Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.

Në nder të dy poetëve është ngritur një memorial bronxi në qytetin e Librazhdit.

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale, “agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”. Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

/ata.gov.al