Piramida e rilindur, zemra e Shqipërisë së re të Inovacionit

7

Piramida e rilindur së shpejti do të jetë qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan.

Ndërkohë që sot tek Piramida do të realizohet një shfaqje vizuale e artit pamor dhe muzikor, e cila synon sjelljen e një qasje të re te publiku për ndërthurjen e historisë me artin vizual kontemporan.

E konceptuar si një shfaqje vizive e dritave e shoqëruar me muzikë do t’i ofrojë të rinjve një mbrëmje jo vetëm kulturore, por edhe argëtuese. Në pamjen ballore të Piramidës do të shfaqen video 3D të punuara nga dizenjues profesionistë, të cilat do të dhurojnë një spektakël dritash dhe arti vizual.

Gjithashtu në një nga ballkonet e Piramidës do të vendoset një DJ, i cili do të bëjë shoqërimin e të gjithë aktivitetit me muzikë. Piramida e ndriçuar, por edhe muzika që do të shoqëroj aktivitetin do të jetë një atraksion jo vetëm për të pranishmit, por edhe për kalimtarët dhe turistët.

Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër shumë funksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.

Kjo qendër, financim i qeverisë, bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, do të ketë 18 salla, ku të rinjtë të studiojnë për programe të ndryshme kompjuterike dhe 14 klasa të tjera, që janë konceptuar në natyrë.

Sipas projektit, Piramida ndahet në 3 zona, ku një pjesë do të jetë për Tumo dhe klasat që do të zhvillohen brenda, një pjesë do të jetë sistem biznesesh dhe sipërmarrës të IT ku do shumë prej startup-eve do të bëjnë praktikën dhe të testojnë produkte.

/ata.gov.al