Plane të reja vendore për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, brenda pranverës

222

Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP), jep mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Pas Malësisë së Madhe, Tropojës dhe Matit, DLDP do të hartojë plane të përgjithshme vendore, PPV edhe për Klosin dhe Vaun e Dejës.

Kjo u bë e njohur sot, gjatë një vizite dhe takimi koordinues që programi realizoi në Reç të Malësisë së Madhe, ku morën pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, Ambasadori Zviceran Christopher Graf, si dhe drejtues të 13 bashkive në Veri dhe Veriperëndim të vendit.

Brenda vitit 2016, 31 bashki do të kenë të përfunduara planet e tyre vendore, ku 26 prej tyre mbështeten financiarisht nga Qeveria Shqiptare, me një fond prej 560 milionë lekësh. 5 të tjera janë asistuar nga USAID. Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP), financim i Qeverisë Zvicerane ishte i pari që iu përgjigj kërkesës së Ministrisë së Zhvillimit Urban për të dhënë mbështetje teknike dhe financiare për 30 bashkitë ku ende nuk ka nisur puna për planet vendore. Me marrëveshjen e nënshkruar sot në Reç, mes Ministres Gjermeni dhe drejtuesve të Bashkive Klos e Vau i Dejës, në prani të Ambasadorit Graf, pritet që të nisë puna për hartimin e planeve vendore në këto dy njësi vendore.

Brenda pranverës së vitit të ardhshëm 5 bashkitë e financuara nga DLDP do të kenë të përfunduara planet e tyre. Ministrja Gjermeni bëri me dije se, brenda vitit 2017, të gjitha bashkitë në vend do të kenë planet e tyre. Gjithashtu, ajo theksoi se, për të gjitha ato njësi vendore, që nuk kanë ende plane, po parashikohet mundësia e përfshirjes në buxhetin e vitit të ardhshëm.

big_2 1 3 4