Prodhimi i energjisë nga dielli dhe era. AKBN: 29 projekte kanë marrë miratimin paraprak ose përfundimtar

21

29 kompani kanë marrë miratimin paraprak ose përfundimtar për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, duke rritur kapacitetet gjeneruese në vend. Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore japin detaje mbi statusin e këtyre miratimeve, teksa bëjnë me dije se deri në fund të vitit pritet certifikimi i 12 impianteve fotovoltaikë.

Paralelisht, kanë marrë miratimin paraprak edhe 3 impiante nga 50 MW, si dhe 2 të tjerë me fuqi të instaluar  2 dhe 5.1 MW.

Ndërtimi i burimeve të rinovueshme nga avancuar edhe në drejtim të impianteve eolike, ku 5 impiantet e parë kanë nisur të ndërtohen, ndërkohë që 7 të tjerë kanë marrë miratimin paraprak.

Të dhënat u bënë me dije gjatë workshopit “Promovimi i masave evropiane për energjinë e rinovueshme të qëndrueshme”, të financuar nga Bashkimi Evropian, që kishte në fokus rëndësinë e energjisë së rinovueshme, me qëllim reduktimin e emetimeve të karbonit në ajër si dhe përmirësimin e eficencës së energjisë në sektorin publik dhe privat midis Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ky workshop u organizua  nga Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal -RCDC Albania (www.rcdcalbania.org) në kuadrin e projektit DE-RESS – Dissemination of the European measures for Renewable Energy Shared and Sustainable: analysis of a practical case,i financuar nga Programi Ndërkufitar Interreg IPA Itali-Shqipëri-Mal iZi.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është promovimi i zhvillimit të Komuniteteve të Energjisë, të afta për të gjeneruar vetë një pjesë të energjisë që konsumojnë (vetë-konsumim).

Workshop-i u shoqërua me diskutime të shumta nga të pranishmit në sallë. Në përfundim pjesëmarrësve ju ndanë certifikata.

Projekti parashikon një workshop të dytë, që do të mbahet në Puglia më 23 shtator 2021.