Prodhimi tejkalon krizën, të gjitha aktivitetet shënojnë rritje (SHIFRAT)

25

Instituti i Statistikave ka bërë publik së fundmi treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave për tremujorin e dytë të vitit 2021. Këto tregues përfshijnë aktivitete si: Industri, Energji elektrike, Gaz, Avull, Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve si dhe Ndërtim. Të dhënat paraqiten pozitive, pra në rritje, për tremujorin e dytë të këtij viti. Po të shohim indekset e treguesve në aktivitetin “Industri”, vëmë  re se të gjithë treguesit paraqiten me rritje. Indeksi i shitjeve neto është rritur me 54.1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020. Nga ana tjetër rritje ka pësuar edhe indeksi i prodhimit me 46.9%, ndërsa indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 3.4%. Për këtë aktivitet, indeksi i fondit të pagave ka shënuar rritje me 18.2%.

Rritje kanë shënuar dhe treguesit e aktivitetit Energji elektrike, Gaz dhe Avull për tremujorin e dytë të vitit aktual përveç indeksit të numrit të të punësuarve, i cili ka pësuar rënie me 2.2%. Rritjen më të madhe nga treguesit e ka regjistruar indeksi i prodhimit me 69%. Indeksi i shitjeve është rritur me 64.9%, krahasuar me tremujorin  e dytë të vitit 2020. Rritje ka pësuar dhe indeksi i fondit të pagave me 5.9%. Indeksi i numrit të të punësuarve ka pësuar rënie edhe për aktivitetin “Furnizim me ujë, Trajtim dhe menaxhim i mbetjeve. Ndërkohë nga ana tjetër indeksi i shitjeve neto është rritur me 45.5% për këtë aktivitet, ndërsa ai i prodhimit dhe i fondit të pagave janë rritur me 31% dhe 2.1% respektivisht.