Projekti arkeologjik në zonën Tepelenë-Memaliaj, zbulohet vendbanimi neolitik

29

Akademia e Studimeve Albanologjike njoftoi se ka përfunduar fushata e parë e projektit arkeologjik shqiptaro-italian “Arkeologjia e peizazhit në zonën Tepelenë-Memaliaj”, i drejtuar nga profesorët C. Silvio Fioriello (Universiteti “Aldo Moro” i Barit), Eduard Shehi dhe Sabina Veseli (Instituti i Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike).

Territori i studiuar përkon me një hapësirë të gjerë, të vendosur në fshatin Qesarat. Të dhënat mbi gjetje me interes arkeologjik në këtë territor dëshmohen që nga mesi i shekullit të 20-të, si edhe nga gërmimet arkeologjike të shpëtimit, të kryera nga Dr. Taulant Rama.

Gjatë vëzhgimeve u kontrolluan rreth 70 ha, u regjistruan 67 njësi topografike dhe u izoluan rreth 20 site, pothuajse të gjitha shumështresore.

Gjetjet e raportuara paraprakisht:

– gjurmë të një ndërtese të madhe dhe të pasur, e pajisur me ambiente termale, të lidhura me fazat e jetës së saj në antikitetin e vonë, e cila u gjurmua pjesërisht në vitin 2017;

– një vendgjetje e rëndësishme që ka nxjerrë një material të gjerë arkeologjik, që daton nga fundi i periudhës qytetare ilire deri në periudhën perandorake romake;

– një ndërtesë komplekse nga periudha perandorake romake, ndoshta një rezidencë luksoze, e vendosur në një fermë të mëparshme të fundit të periudhës qytetare ilire dhe e pajisur me një koleksion të rëndësishëm skulpturor dhe dysheme me mozaikë të rafinuar dhe mure me pikturë murale.

– dy vendbanime të rëndësishme, të krijuara ndoshta në fundin e periudhës qytetare ilire dhe të ripërdorura në shekujt në vijim, deri në Antikitetin e Vonë.

Por zbulimi më i bujshëm ka të bëjë me një zonë të madhe që ka nxjerrë një sasi të konsiderueshme materialesh prehistorike, të datuara në neolitin e vonë dhe përgjatë periudhës së bronzit. Ndoshta mund të rezultojë të jetë vendbanimi më i madh neolitik në të gjithë Shqipërinë e ndoshta në Ballkanin jugperëndimor.

/ata.gov.al