Projekti i BB për ujitjen në bujqësi, përfitojnë mbi 100 mijë familje fermere

1

Banka Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë zbatuar me standarde të larta projektin për ujitjen dhe kullimin në sektorin e bujqësisë, investim i cili ka dhënë fryte të drejtëpërdrejta në mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e prodhimit bujqësor vendas.

Në vlerësimin e saj mbi ecurinë e këtij projekti, BB bën të ditur se, “Rreth 106,000 fermerë në Shqipëri, nga të cilët 50% gra, përfituan drejtpërdrejt nga Projekti i Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Ujitjes i përfunduar së fundmi duke përmirësuar shërbimet e ujitjes dhe kullimit dhe duke i bërë digat dhe sistemet e ujitjes më të sigurta dhe më efektive”.

Sipas BB, sistemet e ujitjes të rehabilituara dhe të modernizuara në kuadër të projektit ofrojnë shërbimet për 40,000 hektarë, ose mbi 11% të tokave bujqësore që ujiten në Shqipëri.

Gjithashtu falë këtij projekti janë 13 diga të rehabilituara që përmbushin standardet ndërkombëtare të sigurisë së digave dhe garantojnë ulje të rrezikut te përmbytjeve të rënda. Ndërsa Sistemi Informativ i Menaxhimit të Ujitjes dhe Kullimit u krijua për 35 bashki me bujqësi intensive.

BB thekson se, “Projekti ka kontribuar gjithashtu në miratimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore (SKMSHR) nga qeveria shqiptare në vitin 2018, dhe dy planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore, të miratuara të dyja në vitin 2020. SKMSR përcakton një vizion të qartë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në Shqipëria, dhe paraqet një strategji afatgjatë për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve ujore”.

/ata.gov.al