Rekord vizitorësh në Kalanë e Gjirokastrës në tetor

14

Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një numër të lartë vizitorësh për periudhën 1 tetor -31 tetor 2023.

Vizitat turistike në Kalanë e Argjirosë, përgjatë muajit tetor kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tetori 2023 i solli 18 683 vizitorë Kalasë së Gjirokastrës, ekzaktësisht 4617 persona më shumë se gjatë tetorit të vitit 2022, kur u regjistruan 14 066 turistë vendas e të huaj.

Kalaja e Gjirokastrës ndodhet në rrugën e Zejtarëve, mbi kodër me lartësi 335 m. Kalaja quhet Argjiro, në nder të legjendës sipas të cilës princesha Argjiro u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e pushtuesit.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Megjithatë, historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

/ata.gov.al