Restaurohet qendra historike e Vlorës, ndërhyrje në 68 objekte

159

Plot 68 është numri i objekteve në restaurim, për zonën historike të qytetit të Vlorës

Projekti pritet të përmbyllet vetëm me restaurimin e objekteve në sezonin turistik të këtij viti, ndërsa më pas do të vijohet edhe me restaurimin e rrugicave të zonës historike.

Kreu i Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, Erion Hamataj konfirmon edhe numrin e objekteve që janë shembur.

Në total janë 40 objekte të klasifikuara për t’u shembur, nga të cilat 35 janë shembur tashmë, ndërsa 5 të tjera, kryesisht shtesa dhe rrethime, pritet të shemben.

Projekti i restaurimit të qendrës historike të Vlorës ka nisur në shtator të vitit 2017, ndërsa vlera e investimit shkon në rreth 322 milionë lekë.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni.