FOTO/ Restaurohet ikona “Shën Nikolla”, një prej objekteve më të rëndësishme të koleksionit të Muzeut “Onufri”

10

Pas një pune dy mujore ka përfunduar restaurimi i një prej objekteve më të rëndësishëm të koleksionit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri” në Berat,i ikonës “Shën Nikolla me skena nga jeta” e vitit 1591 me autor Onufër Qipriotin.

Ikona e dimensioneve të mëdha është marrë nga kisha e Shën Kollit në Kalanë e Beratit dhe prej vitit 1987 ka qenë e ekspozuar për vizitorët. Tashmë ajo rikthehet me të gjithë shkëlqimin e ngjyrave dhe vlerat që mjeshtri Qiprioti realizoi në vitin 1591.

Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Katedralja është e rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike.

Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX.