Rikualifikimi urban i Unazës së Beratit/ Projekti do të përmirësojë infrastrukturën rrugore dhe lehtësojë trafikun

12

Projekti i rikualifikimit urban të Unazës së Re të Beratit, me përfitues të drejtpërdrejtë 65.000 banorë, do të financohet nga Qeveria Shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas njoftimit nga FSHZH qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës rrugore si dhe lehtësimi i trafikut në zonën e mbrojtur nga UNESCO. Sipas FSHZH lehtësimi i trafikut do të vijë si rrjedhojë e devijimit të trafikut të rënduar në unazën perimetrale të qytetit duke e zhvendosur lëvizjen e mjeteve larg qendrës së qytetit.

FSHZH bën me dije se projekti përfshin ndërtimin e një rruge të re nga kryqëzimi me rrugën “Santa Lucia” deri te bashkimi me rrugën “Antipatrea” në dalje të Uznovës dhe se rruga do të jetë me dy drejtime lëvizjeje, trotuar nga të dyja anët dhe korsi biçikletash nga njëra anë.

Gjithashtu pjesë e projektit do të jenë dhe;

  • ndërtimi i një rruge lidhëse me lagjen “Uznovë”, e cila do të kryqëzohet me unazën me anën e një nyejeje në nivel
  • ndërtimi i dy rrugëve të aksesit (rrugë bujqësore) për zonat midis rrugës së re dhe lumit Berat.
  • ndërtimi i një ure me gjatësi 18 m dhe një nënkalimi me përmasa 3.50 x 6.00 m
  • ndërtimi i një argjinature të re për mbrojtjen nga përmbytjet.

“Aktualisht po punohet  për ndërtimin e trupit të rrugës dhe korsinë e biçikletave”, shkruhet në njoftim.