Rregullat kanë ndryshuar/ 4 aftësi të rëndësishme që duhet t’ia shtoni CV-së suaj

50

Nëse po kërkoni punë, gjetja e një të tille këtë vit është një proces shumë i ndryshëm nga ai që ishte para pandemisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar – dixhitalizimi është përshpejtuar, teknologjia është më e avancuar se kurrë dhe puna në distancë është bërë një normë për të gjithë.

Të gjitha këto ndryshime do të thonë se janë të nevojshme aftësi të reja për të punuar në mënyrë efikase me ekipe në distancë dhe për të qenë sa më shumë produktivë.

Sipas blogut për këshilla mbi punën, Infoempleo, është e nevojshme që CV juaj të jetë e përditësuar edhe me aftësitë më të kërkuara nga rekrutuesit. Më poshtë janë katër aftësitë kryesore që Infoempleo thotë se duhet t’i përfshini në CV nëse po kërkoni punë ndërkohë që punoni nga shtëpia.

1. Aftësi dixhitale dhe programimi

Që kur nisi pandemia, njerëzit me aftësi në digital marketing, web development, web design dhe në programim janë bërë edhe më të rëndësishëm për kompanitë se sa më parë. Me një numër në rritje të kompanive që zhvendosen drejt punës në distancë apo modeleve të punës hibride, është e rëndësishme të zotëroni njohuri në instrumente dixhitale dhe në programet e nevojshme për të punuar në distancë.

2. Aftësi në rrjetet sociale

Të jesh i zoti të lundrosh dhe të menaxhosh rrjetet sociale është një aftësi profesionale, kërkesa për të cilën është rritur prej disa kohësh, por ajo arriti kulmin në fillim të pandemisë. Shumë kompani mund të mos kenë buxhet për të caktuar një rol më vete për një menaxher të rrjeteve sociale. Për pasojë, aftësitë në rrjetet sociale që plotësojnë fushat e kompetencave kryesore janë mjaft tërheqëse për rekrutuesit.

3. Aftësitë teknologjike

Aftësitë teknologjike në fusha si robotika, realiteti i shtuar, Interneti i Gjërave dhe Inteligjenca Artificiale mund të jenë të çmuara për kompanitë në kontekstin e ndryshimeve që solli pandemia. Infoempleo nënvizon se kërkesa për personel “me aftësi specifike në software cloud dhe instrumente për punë bashkëpunuese është rritur”. Duke qenë se kompanitë po mbështeten te kjo teknologji gjithnjë e më shumë, sigurohuni që të përfshini çfarëdolloj aftësie në CV-në tuaj”.

4.Soft skills (Aftësi të buta)

Vetëdisiplina, aftësia për të komunikuar dhe nisma shpesh konsiderohen karakteristika mjaft të kërkuara, por janë veçanërisht të tilla nëse kërkoni punë nga shtëpia. Këto aftësi janë edhe më shumë të rëndësishme tani që, shpesh, kolegët dhe drejtuesit, të cilëve u raportoni, janë në distancë fizike.

Si pasojë, ju duhet të lini të kuptoni në CV tuaj se jeni në gjendje t’i zbatoni në praktikë këto aftësi dhe cilësi. “Është e rëndësishme që qëndrueshmëria, aftësitë dixhitale të përmirësuara dhe aftësia për t’ju përshtatur ndryshimeve të shfaqen në CV tuaj” – thotë Infoempleo.