Rriten me 38% volumet e përpunimit të njësive konteinerike në Portin e Durrësit

15

Gjatë vitit 2023 në Portin e Durrësit janë përpunuar 155 anije konteinerike, të cilat kanë transportuar mbi 184 mijë njësi konteinerike (TEU) me mallra të ndryshme.

Referuar të dhënave statistikore të Autoritetit Portual Durrës (APD), volumet e përpunimit të njësive konteinerike për vitin 2023 kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në masën 38%, në raport krahasimor me vitin paraardhës.

Të njëjtat burime saktësojnë, se gjatë vitit që lamë pas, në terminalin e konteinerëve, anijet kanë sjellë 92,100 TEU, ndërsa 91,917 TEU janë nisur për eksport drejt porteve të huaja, duke shënuar kështu një rritje prej 51,052 TEU më shumë se janar-dhjetori 2022.

Sipas shifrave analitike të APD-së, për periudhën progresive 2019-2023, sektori i konteinerëve ka njohur një rritje mesatare në masën 7%, ndërkohë që përgjatë të njëjtës periudhë janë përpunuar në total 8,706,998 tonë mallra me konteinerë.

“Kjo rritje e volumeve të përpunimit në kryeqendrën portuale të vendit konfirmon edhe njëherë vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto-Romano, i cili do të rrisë ndjeshëm hapësirat dhe kapacitetet e përpunimit të mallrave, duke sjellë një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare por edhe në gravitetin që infrastruktura portuale ka në ekonominë kombëtare dhe atë rajonale”, bën të ditur APD.

/ata.gov.al