Rritje e volumeve tregtare në Durrës, në 5 vite më shumë se 27,3%

2

Gjatë 5 viteve të kaluara volumet tregtare të përpunuara në kompleksin portual Durrës – Porto Romano kanë njohur një rritje të konsiderueshme prej më shumë se 27,3%.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se kjo rritje konsistente, më e lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto për të njëjtën periudhë, dëshmon se transporti detar dhe logjistika janë kthyer në sektorë mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Portet shqiptare kanë nisur të funksionojnë si porte tranzit për vendet e rajonit: Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, etj.

Potenciali i porteve shqiptare për të konkurruar porte të tjera të Adriatikut dhe Egjeut është tashmë i vërtetuar dhe i matshëm.

Referuar të dhënave analitike të 5 viteve të fundit, (2018-2022) në kompleksin portual Durrës – Porto Romano, janë përpunuar rreth 26.5 milionë tonë mallra ose 93.8 % e të gjithë sasisë së mallrave të përpunuar në vendin tonë në rrugë detare.

“Nuk ka konfirmim më të mirë për seriozitetin e strategjisë së qeverisë shqiptare të trupëzuar në Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale (2020) ku modernizimi dhe specializimi i infrastrukturës portuale, veçanërisht në kompleksin Durrës – Porto Romano, përbën përparësi kombëtare”, thekson APD.

/ata.gov.al