Ruajtje e Manastirit të Ungjillëzimit mbi fshatin Vanistër të Dropullit

8

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndau mëngjesin e sotëm pamje nga manastiri historik i Vanistrës, ku punimet për restaurimin e tij vijojnë.

“Me përpjekjet e përbashkëta të CHwB Albania dhe mbështetjen e Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP), po hedhim hapa të rëndësishëm drejt ruajtjes së këtij monumenti kulturor”, shkruan ministri në rrjetet sociale.

Gjatë 6 javëve të fundit, në këtë sit janë kryer ndërhyrje të rëndësishme për të siguruar stabilitetin e mureve përreth dhe atyre të brendshme. Me kujdes dhe precizion, ekipi i specializuar po ndjek teknikat tradicionale të mureve “të thata” për të ruajtur strukturën origjinale.

Një element kyç në këtë proces është mbulesa, e cila mbron muret nga depërtimi i ujit dhe siguron qëndrueshmërinë e tyre për shumë vite të ardhshme.

Kisha e Ungjillizimit është ndërtuar në vitin 1582. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës.

Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillizimit, ndërsa konakët janë në anën jugore.

Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillizimit të Hyjlindëses që kremtohet më 25 mars.

Referenca: ata.gov.al