Saranda, kryeqendra e turizmit! Të paktën 1500 turistë vijnë me kroçera dhe tragete çdo ditë

45

Qyteti i Sarandës me plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore po shënon një fluks të lartë turistësh të huaj në ditët e para të gushtit, që përkojnë edhe me kulmin e sezonit turistik.

Porti i Sarandës bën të ditur se “rreth 1500 turistë vijnë çdo ditë të javës vijnë me tragetet e linjës Sarandë Korfuz-Sarandë”.

“Ndërsa gjatë ditës së djeshme në portin e Sarandës mbërriti kroçera Msc Musica, e cila vjen çdo të enjte nga Pireu në orën 12.00 dhe largohet për Dubrovnik në orën 20.00. Në bordin e kroçerës ishin rreth 3150 turistë të huaj”, thekson porti.

“Turistët janë nga vende të ndryshme si “Austri, Belgjikë, Brazil, Bullgari, Danimarkë, Gjermani, Hungari, Iran, Itali, Spanjë, Zvicër, Ekuador, Poloni, Rusi, Uruguaj, Zelanda e Re, etj.

Turistët e huaj vizituan pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj.

Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, ku vetëm për këtë vit në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.

Kapiteneria e portit dhe autoritetet e tjera që operojnë në të ofrojnë mbështetje maksimale për turistët.

Plazhi i Pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një manastir, plazhi i Pasqyrave, i Ksamilit, etj., ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.