Saranda ‘pushtohet’ nga turistët e huaj

21

Saranda këto ditë tetori është pushtuar nga turistët e huaj, të cilët udhëtojnë me kroçera drejt qytetit bregdetar që tashmë është pjesë e udhëtimit të tyre.

Gjatë kësaj jave në port vijojnë të vijnë kroçera me një numër të lartë turistësh, që vizitojnë bukuritë natyrore dhe monumentet arkeologjike të Sarandës.

Porti i Sarandës bën të ditur se “ditën e djeshme në port mbërriti kroçera “Msc Sinfonia” me rreth 2150 turistë në bord, që vijnë nga vende si Italia, Franca, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera të botës”.

Turistët vizituan pikat turistike të Sarandës si parkun e Butrintit dhe Syrin e Kaltër.
Sipas portit, kjo kroçerë do të vizitojë qytetin e Sarandës edhe katër herë të tjera brenda këtij viti.

“Qyteti i Sarandës që në muajin shkurt të këtij viti ka pritur turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik kanë një fluks të shtuar. Ndërkohë që kroçera e fundit që do të vizitojë qytetin bregdetar është “Amadea”, që do të sjellë turistët e huaj më 7 dhjetor”, – thekson porti.

Në 21 tetor Saranda u vizitua nga kroçera “Ocean Majesty” me flamur portugez, që solli 470 pasagjerë.

Për vitin 2019 porti i Sarandës është rezervuar nga 42 kroçera, që do të prekin qytetin dhe do të vizitojnë pikat turistike të tij.