Shiroka, atraksioni turistik buzë liqenit të Shkodrës

10

Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodrës, pasi lë Urën e Bunës dhe merr rrugën në të djathtë, të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta të Shkodrës, e vlerësuar si një prej bukurive mahnitëse të veriut buzë liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit.

Bashkia e Shkodrës publikoi sot disa fotografi nga Shiroka, të cilës investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.

Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për shkodranët, por edhe për turistët vendas dhe të huaj.

Shiroka ka histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, që janë bërë në afërsi të saj, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, në vitin 1959, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.

E njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative, Shiroka shumë shpejt do të bëhej një nga zonat më të famshme në vend.

Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku  jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët.

Numërohen gjithsej 240 lloje, ku më shpesh syri të ndesh pulëbardhat. Për të apasionuarit e peshkimit, fauna ujore ofron rreth 65 lloje peshqish. Më i famshmi krapi, por jo vetëm, edhe karasi, gjuca etj. Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bën këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe atraktiv.

/ata.gov.al